Hoxhaj takon delegacionin britanik, u kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO

E publikuar: 15/11/2024 13:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në një takim të rëndësishëm të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, delegacioni i deputetëve nga Mbretëria e Bashkuar u mirëprit nga Enver Hoxhaj, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, dhe përfaqësues të partive opozitare.

Takimi shërbeu si një platformë për diskutimin e çështjeve kyçe që lidhen me prioritetet strategjike të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

Enver Hoxhaj theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke e konsideruar këtë proces po aq të rëndësishëm sa shpallja e pavarësisë më 2008. Ai vuri theks të veçantë në rolin që duhet të luajë Mbretëria e Bashkuar në mbështetjen e shtetndërtimit të Kosovës dhe avancimin e saj drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara dhe Këshilli i Evropës.

“Në një botë të ndryshimit tektonik gjeopolitik, të kërcënimeve të Serbisë dhe Rusisë në Ballkan, anëtarësimi i Kosovës në NATO, është i rëndësisë së barabartë me pavarësinë e Kosovës, më 2008-ën.” u shpreh Hoxhaj thuhet në njoftim.

Deputetët britanikë riafirmuan mbështetjen e tyre për Kosovën dhe rëndësinë e përforcimit të bashkëpunimit dypalësh, duke theksuar se stabiliteti i rajonit të Ballkanit mbetet një prioritet i lartë për politikën e jashtme britanike.

Ky takim vjen në një moment të rëndësishëm për Kosovën, ndërsa ajo synon të forcojë pozicionin e saj ndërkombëtar dhe të integrohet në strukturat euroatlantike.

“Sot pata kënaqësinë të mirëpres një delegacion të deputetëve nga Mbretëria e Bashkuar , të cilët na vizituan në Kuvendin e Kosovës . Në një botë të ndryshimit tektonik gjeopolitik, të kërcënimeve të Serbisë dhe Rusisë në Ballkan, anëtarësimi i Kosovës në NATO, është i rëndësisë së barabartë me pavarësinë e Kosovës, më 2008-ën. Prioriteti më i rëndësishëm i Mbretërisë së Bashkuar, në raport me Kosovën dhe Ballkanin, duhet të jetë përmbyllja e shtetndërtimit të Kosovës, duke e mbështetur anëtarësimin e Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare, nga OKB deri në Këshill të Evropës, dhe një partneritet më i ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar – ishin këto temat e takimit me delegacionin e deputetëve britanikë.”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.