Aferat korruptive në Qeverinë Kurti: Hetime për Aliun, Nagipin, Martinin, Ridin, Izedinin dhe Naserin

E publikuar: 15/11/2024 00:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Qeveri me duar të pastra” – këtë e kishte premtuar Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje sa ishin në opozitë. Derisa mandati ende s’ka përfunduar, janë disa afera korruptive që kanë dalë në dritë. Këto afera tani po hetohen nga autoritetet dhe përbëjnë një problem serioz për integritetin e institucioneve dhe shpenzimet e fondeve publike.

Rasti Nagip Krasniqi
Një nga çështjet më të bujshme përfshin ish-kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.

Sipas Prokurorisë, ai përballet me akuza për tregti të rrymës me një kompani sllovene të palicencuar në kundërshtim me ligjin për energjinë dhe atë të rregullatorit të energjisë. Kjo tregti sipas organit të akuzës, i ka sjellë përfitime kompanisë sllovene dhe dëm buxhetit publik.

Më 25 prill 2023, Krasniqi ishte suspenduar nga pozita e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut.

Përfshirja e Krasniqit në këë aferë korruptive u bë edhe më serioze pas publikimit të mesazheve që kishte shkëmbyer me koordinatoren e Vetëvendosjes Dejona Mihali. Aty vërehet se secila lëvizje brenda korporatës ishte e koordinuar me të. Madje edhe komunikatat për publik, njëherë i shihte e i konfirmonte Dejona, e pastaj procedoheshin për publikim.

Martin Berishaj dhe lidhjet e dyshimta financiare
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ishte intervistuar me ftesë të Prokurorisë Speciale, me dyshimet për veprat penale ‘Shpëlarja e parave’, ‘Shmangia nga tatimi’ dhe ‘Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’.

Dyshimet janë që Berishaj ka përfituar së paku 1.5 milionë euro nga kompania GEN me seli në Serbi për periudhën 2019 e deri në prillin e vitit 2022.

Berishaj i afërt me partinë në pushtet, përmendet edhe në meszhet ndërmjet Dejona Mihalit e Nagip Krasniqit. Kur Mihali e pyet Krasniqin në lidhje me dyshimet e lartëcekura, e ky i fundit i përgjigjet me “pak a shumë e vërtetë”.

Rezervat Shtetërore dhe kriza e menaxhimit
Mbi 600 mijë euro është dëmi që Prokuroria Speciale pretendon se dy zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica, dhe biznesmen Ridvan Muharremi ia kanë shkaktuar buxhetit të shtetit të destinuara për rezerva shtetërore.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të dyshuarit kanë sjellë 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar e grurit, ndërsa vaj e sheqer nuk kanë sjellë fare.

Në dokument theksohet se vlera e dëmit të pretenduar është 601 mijë e 940 euro.

Industria e ambalazhimit të ujit, Liburn Aliu
Prokuroria Speciale e Kosovës, ka bastisur Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Gjatë aksionit, sipas Prokurorisë Speciale, është arrestuar sekretari i kësaj ministrie Izedin Bytyqin, kurse Naser Hafizi, zëvendësues i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, nuk është gjetur në vendbanim e tij. Më pas ai u prit dhe u arrestua në Aeroport, dhe gjendet në masën e paraburgimit.

Izedin Bytyqi sipas Prokurorisë Speciale dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Kurse i dyshuari tjetër, Naser Hafizi, dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mos-raportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.

Ky aksion u zhvillua pas raportimeve të mediave rreth keqpërdorimeve dhe vjedhjeve multimilonëshe me borxhin e ambalazhuesve te ujit nga ministria që udhëhiqet nga Liburn Aliu.

Nacionale kishte publikuar edhe aktvendimin e Prokurorisë Speciale për zgjerimin e hetimeve në lidhje me këtë çështje, e ku rezulton se në këto hetime do të përfshihet hiç më pak se vet ministri Liburn Aliu./Nacionale