Nëpërmjet dy memorandumeve të nënshkruara të hënën pasdite, Luksemburgu do të mbështesë Kosovën me rreth 35 milionë euro për zhvillimin e sektorit privat me fokus në fushën e IT-së, inovacionit dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Me këto investime ndryshe nga ato infrastrukturore, zëvendëskryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, tha se duan të ndikojnë në zhvillim, në mënyrë që rinia ta shohë Kosovën si vend ku mund të jetojë.
“Mendoj se këto marrëveshje nuk janë të reja, por fakti se kemi sektorë të rinj, me sektorin privat, IT-në, klimën, shohim ndryshime. Kur shohim 20 vjet prapa dhe tani, nuk është njësoj. Kur i shoh numrat, dhe folëm më herët për papunësinë, them që nuk është një shpenzim është një investim në njerëz, investim në të ardhmen, investim në mundësinë që kosovarët e rinj të shohin një potencial dhe të jetë pjesë e këtij potenciali”, tha Bettel.
Teksa shprehu falënderime, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se ndihma e përgjithshme e Luksemburgut ndaj Kosovës tejkalon shifrën 100 milionë euro.
“Dukati i Madh i Luksemburgut ka qenë dhe vazhdon të jetë mbështetës i palëkundur i Kosovës në të gjitha proceset tona shtetndërtuese”, tha Bislimi.
Paraprakisht, Bettel, i cili pos zëvendëskryeministër është dhe ministër për Punë të Jashtme, takoi edhe homologen Donika Gërvalla.
Në këtë takim, ai foli për rëndësinë e shmangies së tensioneve në rajon dhe, siç u shpreh, ndërtimin e së ardhmes së bashku, pavarësisht faktit se nuk mund t’i zgjedhësh fqinjët.
Në vizitën e dytë në Kosovë për të dytin vit radhazi – pas asaj si kryeministër në korrik 2023 – kryediplomati i Luksemburgut takoi edhe presidenten Vjosa Osmani.