Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është detyruar që të ndërpres kontratën për dërgesa diplomatike me kompaninë “AL Dushi Shpk”, pasi kjo e fundit s’ka përmbushur kushtet e marrëveshjes për dërgim të postave diplomatike me kohë. Në vendimin për ndërprerje të kontratës janë specifikuar problemet e shumta për arritje të dërgesave me kohë e madje edhe dëmtime të dërgesave.
Ndërkohë derisa MPJD ka ndërprerë kontratën me këtë kompani, mbi 400 pasaporta dhe mbi 100 kartela të identitetit nuk kanë arritur në destinacion. MPJD pas raportimeve në media për këtë skandal, kishte dalë me një sqarim se dokumentacionet në fjalë s’kanë humbur.
Në këtë tender emergjent, është hequr fare kushti për të dëshmuar realizimin e dërgesave në Evropë (Gjermani, Francë) brenda 24 orëve, në Azi nga 48 deri në 72 orë, Afrikë gjithashtu 48 deri në 72 orë dhe në SHBA e Kanada për 36 deri në 48 orë. Për këtë ritenderim urgjent, MPJD ka lënë afat vetëm 24 orë për pranimin e ofertave dhe për kryerjen e dërgesave diplomatike, ka aplikuar vetëm një kompani. Kompania që ka aplikuar, s’ka kryer kurrë shërbime për MPJD-në dhe çmimi të cilin e ka ofruar është shumë herë më i lartë se ai me të cilin ishte angazhuar “AL Dushi shpk”.
Sipas procesverbalit të hapjes së ofertave, kjo kompani ka aplikuar me çmim me poentim 2,016.00 euro. Ky çmim është 64% më i lartë sesa ai që kishte ofruar “A.L DUSHI SH.P.K” (1.304.55 euro) ndërsa është 865% më i lartë se ai të cilin e kishte ofruar kompania 3P – DHL Express (233.40 euro).GazetaExpress/.