Bajrami i përgjigjet Muratit për Trustin: Javën e parë të gushtit pati ulje të fitimeve për rreth 60 milionë euro

E publikuar: 31/10/2024 17:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i është përgjigjur një postimi në Facebook të ministrit të Financave, Hekuran Murati, mbi fitimet e Trustit.

Murati pak më herët kishte rikthyer një deklaratë të vitit të kaluar të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili kishte akuzuar Qeverinë se po rri në gjumë ndërsa Trusti po humb gjysmë milionë euro në ditë.

Ministri tha se ky ishte një “parashikim ogurzi” i Abdixhikut, ndërsa tha “kthimi/fitimi i Trustit ka kapur shifrën 203 milionë euro për 9 muajt e parë të vitit 2024”.

Por, Bajrami ka nxjerrë disa statistika përmes të cilave thotë se në javën e parë të gushtit mjetet në Trust kishin pasë ulje të fitimeve për rreth 60 milionë euro.

“Hekurani paska folë edhe për Trustin. Gjendja e mjeteve në Trust javën e parë të Gushtit, ulje e fitimeve për rreth 60 milionë Euro”, shkroi Bajrami.

Ajo në një postim paraprak tha për Muratin se “paska vendosë me kalu kohën në facebook”.