Çeku prezanton ndryshimet në Ligj: Mundëson përmirësimin e kushteve dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore

E publikuar: 29/10/2024 11:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka prezantuar Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore dhe Projektligjin Kundër Dukurive Negative në Sport,  në Komisionin parlamentar .

Gjatë prezantimit të Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, Çeku tha se me këtë Ligj themelohet Inspektorati Qendror i Trashëgimisë Kulturore si Agjenci ekzekutive.

Sipas tij, kjo mundëson përmirësimin e kushteve dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore në vend.

“Nëpërmjet këtij Ligji themelohet Inspektorati Qendror të Trashëgimisë Kulturore si Agjenci ekzekutive. Pra nga një trup që është brenda ministrisë tashmë fuqizohet në nivel të një agjencie ekzekutive duke mundësuar përmirësimin e kushteve dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore në vend. Ky mekanizëm institucional në bashkëpunim me organet tjera inspektuese, do të mundësojë përmirësimin e proceseve të inspektimit dhe mbrojtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore”.

“Funksionet të cilat do t’i ketë  Inspektorati Qendror të Trashëgimisë Kulturore (IQTK), janë si në vijim: Vlerëson dhe kontrollon zbatimin e legjislacionit në fuqi të trashëgimisë kulturore, inspekton në mënyrë të pavarur asetet e trashëgimisë, bën vlerësimin e kushteve dhe gjendjes së tyre në përputhje në legjislacionin përkatës, urdhëron ndalimin e çdo lloj pune të paautorizuar në asetet e trashëgimisë, ndërmerr veprime korrekte ndaj personave në rast të punimeve të paautorizuara me të cilat dëmtohen asetet e trashëgimisë“, tha Çeku në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport./EO