Janë bërë gati një javë prej se Gjykata Supreme ia la në dorë Gjykatës Themelore të Prishtinës, që të vendos tutje se si do të procedohet me 42 të akuzuarit që janë në mungesë, për sulmin në Banjskë.
Javën e kaluar Supremja njoftoi se nuk jep mendime juridike për dilema që ka gjykata e shkallës së parë dhe se është në diskrecion të gjyqtarëve që të vendosin vetë.
“Ju njoftojmë se Gjykata Supreme me datë 30 shtator 2024 ka pranuar kërkesë me shkrim nga Gjykata Themelore e Prishtinës, për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të KPP në rastin ‘Banjska’. Pas shqyrtimit të kësaj kërkese, Gjykata Supreme përmes përgjigjes me shkrim e ka njoftuar paraqitësin e kërkesës, se ‘asnjëherë nuk jep mendime juridike për dilemat që i ka gjykata e shkallës së parë në interpretimin e ndonjë dispozite gjatë procedimit të çështjeve të hapura penale, e të cilat me vonë do të mund te ngritën edhe në Gjykatën Supreme të Kosovës”. Prandaj, Gjykata Supreme, konsideron se është në diskrecionin e gjyqtarëve që të vendosin ashtu siç e vlerësojnë ata vetë”, ka thënë Gjykata Supreme.
Megjithatë gjykata e shkallës së parë, ende nuk ka treguar se si do të vazhdohet tutje.
Nga Gjykata Themelore, nuk kanë kthyer përgjigje, derisa prokurori i rastit Naim Abazi i ka thënë televizionit se ende nuk kanë informacione nëse do vazhdohet ashtu siç kanë kërkuar, për të gjykuar të njëjtit në mungesë.
Avokati Artan Qerkini thotë ky rast është i pari i këtij lloji dhe si i tillë do të vendosë një praktikë gjyqësore.
“Ky është rasti i parë pas hyrjes në fuqi të Kodit të Procedurës penale, në të të cilin pra vrasja e rëndë është pjesë e një vepre tjetër penale, për të cilën nuk parashihet gjykimi në mungesë, ky rast d.m.th. do ta ndërtojë praktikën gjyqësore, e për ta ndërtuar praktikën gjyqësore duhet më shumë angazhim më shumë kohe dhe është e kuptueshme që ky rast nuk do të zgjidhet me shpejtësi”, ka thënë Qerkini.
Tutje sipas tij, kodi i procedurës penale nuk parasheh gjykimin në mungesë të veprave të cilat akuzohen të njëjtit, por thotë se një opsion për të lehtësuar gjykimin mund të konsiderohet edhe plotësim ndryshimi i KPPRK-së.
“Nuk e dimë tash sa është Kuvendi efikas në një kohë kur jemi para zgjedhjeve. Nëse do të bëhet një gjë e tillë, atëherë besoj se mund të procedohet në këtë mënyrë. Mirëpo, kjo mbetet të shihet kjo është ende hipotetike. Nëse ndodh një gjë e tillë nuk ka dilemë, ligji e parashikon mbajtjen në mungesë edhe për veprat penale të terrorizimit dhe atëherë do të procedohet tutje. Dhe s’do të kishte dilema tek gjykata”, ka thënë Qerkini.
Pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Kosovës, gjykimi ka nisur për tre të akuzuar për sulmin terrorist që ndodhi më 24 shtator të 2023, derisa është veçuar procedura ndaj 42 personave të tjerë, përfshirë edhe Milan Radoiçiqin, si udhëheqës i grupit terrorist.
Në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe dy pjesëtarë të tjerë të Policisë u plagosën. /Dukagjini/