Nga ky muaj nis zbatimi i Reformës së Skemës Sociale, Murati: Secilës familje t’i ofrohet një vend pune

E publikuar: 21/10/2024 13:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka bërë të ditur se në kuadër të zbatimit të Reformës së Skemës Sociale, nga ky muaj do të jetë grupi i parë që do të marrë pjesë në pilotim të reformës.

“Ekipet tona po vazhdojnë vizitat në terren tek familjet dhe janë duke bërë vlerësimin e gjendjes ekonomike edhe nga afër, për t’u siguruar që ajo përkon me gjendjen e deklaruar në institucione.  Kjo reformë, e mbështetur edhe nga Banka Botërore, parasheh heqjen e kritereve diskriminuese, dhe njëkohësisht vendos mekanizmin që mbështet anëtarët e familjes të aftë për punë që të aktivizohen në tregun e punës”, ka shkruar Murati në facebook.

Murati shprehet se synim është që secilës familje t’i ofrohet një vend pune, dhe familja të bëhet e vetëqëndrueshme financiarisht.

“Paralelisht me punën për këtë reformë, përmes masave të shumta mbështetëse gjatë tri viteve të shkuara, kemi ndihmuar krijimin e vendeve të reja të punës, dhe kjo ka rezultuar edhe në zvogëlim të numrit të familjeve përfituese nga Skema e Ndihmës Sociale.  Vetëm nga masa Qeveria për Familjet, janë mbi 2 mijë të punësuar, shumica e të cilëve vijnë nga familje që kanë qenë përfitues të ndihmës sociale. Ndikimi mund të shihet edhe në grafikonin më poshtë, që paraqet numrin e famuljeve përfituese nga Skema e Asistencës Sociale”, ka shkruar Murati.