Rutte pas takimit të NATO’s: Aleatët vazhdojnë të punojnë që KFOR t’i ketë forcat e duhura për një mjedis të sigurt

E publikuar: 18/10/2024 17:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas përfundimit të takimit me ministrat e Mbrojtjes të NATO-s, tha se në këtë takim kanë diskutuar edhe për situatën në Kosovë.

Ai tha se aleatët do të vazhdojnë të punojnë që misioni i tyre në Kosovë, KFOR, t’i ketë forcat që i duhen për mbajtjen e sigurisë.

“Sot në takim diskutuam edhe për operacionet e NATO-s në Ballkanin Perëndimor dhe Irak. Në Kosovë, aleatët vazhdojnë të punojnë së bashku për të siguruar që misioni ynë i KFOR-it të ketë forcat dhe burimet që i nevojiten për të mbajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë”, tha Rutte, raporton Gazeta Express.

Ai tha gjithashtu se patën “dy ditë të ngarkuara takimesh” dhe shtoi se prioritet i Aleancës është parandalimi dhe mbrojtja.

“Sepse mbajtja e një miliardi njerëzve tanë të sigurt është detyra më e shenjtë e NATO-s”.

Për Kosovën në këtë takim ka folur edhe ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili kërkoi vëmendje të shtuar ndaj dinamikave hibride në veri të vendit.

“Gjatë fjalës time në këtë sesion, theksova rëndësinë e qasjes gjithëpërfshirëse të parandalimit dhe mbrojtjes, duke kërkuar vëmendje të shtuar për Rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ndava gjithashtu shqetësimin për sfidat e sigurisë me të cilat përballet rajoni. Vlerësova gjithashtu rolin thelbësor të misionit KFOR në sigurimin e stabilitetit në rajon, ndërkohë që bëra thirrje për vëmendje të shtuar ndaj dinamikave hibride dhe aktiviteteve malinje, veçanërisht në veri të Kosovës dhe ndaj zhvillimeve shqetësuese në Bosnje-Hercegovinë”, ka bërë të ditur Vengu pas takimit.