Zv/ministri Syla takon të parin e KEK-ut, flasin për mbrojtjen nga fatkeqësitë

E publikuar: 18/10/2024 17:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në kuadër të projektit Mbështetja Ushtarake për Autoritetet Civile dhe vizitave në sektorët e infrastrukturës kritike, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, vizituan sot Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ku u pritën nga kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Bekir Gerguri.

Sipas një njoftimi nga ministria e Mbrojtjes, në këtë takim u diskutua për vlerësimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore dhe të tjera, planin për mbrojtjen e kësaj infrastrukture, si dhe vijimësinë e aktiviteteve të KEK-ut, gjatë rasteve të fatkeqësive.

“Vizita ishte e rëndësishme pasi u diskutua edhe aspekti i Qëndrueshmërisë Kombëtare sa i përket sektorit të energjisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.

“Zëvendësministri Syla ofroi mbështetje ushtarake për autoritetet e KEK-ut, sipas misionit të MM-së dhe FSK-së, duke e konsideruar KEK-un si një aset shumë të rëndësishëm të infrastrukturës kritike për Republikën e Kosovës. Të dy palët ranë dakord të vazhdojnë dhe intensifikojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme me interes të përbashkët”.