Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila pasi e ka pranuar se i ka thënë “Brate” Slavko Simiqit, por ka insistuar se kjo fjalë ka kuptimin e “mikut” dhe jo të “vëllait”, nuk i ka prezantuar në tërësi mesazhet e njëjta që janë publikuar në gazetën Paparaci.
Madje, ajo në tri raste ka publikuar bashkëbisedime me Simiqin, për të cilat nuk ka raportuar gazeta Paparaci.
Të martën në “Konfront” të KTV-së, ajo ka prezantuar bisedën me Simiqin të datës 19 prill 2022, mirëpo biseda me të është e orës krejt tjetër me atë që ka publikuar Paparaci.
Kusari-Lila ka prezantuar bashkëbisedimin e orëve 15:53, 15:54, 15:57 dhe më pas ka kaluar me datën 20 prill.
Ndërkaq, gazeta Paparaci ka publikuar bashkëbisedimin e orëve 12:49, 12:54, 15:16 dhe 15:52.
Kusari-Lila në KTV nuk e ka prezantuar bisedën me Simiqin të datës 8 shkurt.
Biseda dëshmon urgjencën e Kusari-Lilës për koordinim me Listën Serbe.
Shefja e deputetëve të LVV-së interesohet nëse deputetët e Listës Serbe do të shkonin në seancën që do të mbahej të nesërmen.
Simiq ia konfirmon vendimin e partisë për të mos marrë pjesë në seancë. I arsyetohet me shpjegimin se 12 deputetët e Listës Serbe ishin infektuar me koronavirus gjatë një vizite te Radoiçiqi në Kopaonik.
“Përshëndetje Sllavko, a do të vini nesër në seancën e Kuvendit?”, interesohet Kusari-Lila për vendimin e Grupit Parlamentar të Listës Serbe. “Vazhdimi është nesër në orën 11:00”.
“Përshëndetje, Ishim te ai shoku në Kopaonik, për ta vizituar, ai është me koronë, dhe të gjithëve na infektoi me koronë, të gjithë 12 deputetëve”, ia kthen Simiqi, Kusari-Lilës.
Kusari-Lila e kupton se Radoiçiq, kryetari faktik i Listës Serbe, nuk po i lejonte deputetët të merrnin pjesë në seancë. Por, ajo insiston të informohet nëse dy deputetët e komuniteteve të tjera, Adem Hodza e Fadil Gashi, do të shkonin në seancë.
“Si bre 12 deputetë përsëri me koronë”, përgjigjet me habi ajo. “A e keni marrë Bajramin dhe Ademin me veti? Më fal, Fadilin dhe Bajramin?”.
Simiq ia kthen: “Të gjithë për Zotin [qesh]”.
Kusari-Lila ka prezantuar një bashkëbisedime të 24 majit 2022, për të cilin nuk ka raportuar Paparaci.
Në bashkëbisedim të 24 majit ajo i kërkon llogari Listës Serbe se përse po e përkrahnin PDK-në.
Ndërkaq në një bashkëbisedim tjetër, për të cilën nuk ka datë, Kusari-Lila ka thënë se është momenti kur përkeqësohet situata mes Simiqit dhe asaj.