Kuvendi i Kosovës do ta mbajë një seancë të jashtëzakonshme nesër në drekë, për çështjen e furnizimit me ushqim të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se do të propozohet një rezolutë që i kërkon Qeverisë ta zgjidhë me urgjencë situatën e krijuar.
“Propozim Rezoluta është e thjeshtë: ‘Kuvendi i Republikës së Kosovës e obligon Qeverinë, Ministrinë e Mbrojtjes, që me urgjencë ta zgjidhë çështjen e furnizimit me ushqim si dhe me të gjitha pajisjet tjera të nevojshme’. Nesër Kuvendi do të obligojë Qeverinë të zgjidh këtë çështje”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Tahiri tha se ky draft i rezolutës “mund të plotësohet nga deputetët në seancë”.
Ministri i Mbrojtjes tha sot më herët se po synojnë t’i “minimizojnë ndikimet negative” në furnizimin dhe shërbimin e ushqimit për personelin e FSK-së.
Ejup Maqedonci publikoi një “sqarim” në Facebook pas një letre që komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari e dërgoi në këtë ministri, duke paralajmëruar se kjo situatë mund t’i detyrojë ata që të marrin masa për “ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve e planifikuara” dhe që ushtria të funksionojë “vetëm me staf esencial”. Tha se po i ndjekin hapat e nevojshëm, ndërsa fajin për këtë situatë ua lidhjes së kontratave emergjente në të kaluarën.
Komandanti i FSK-së ka alarmuar për “rreziqet për pasoja shëndetësore” për ushtarët, për shkak të situatës aktuale me ushqimin, ndërkohë që në media janë publikuar fotografi të shujtave të ushtarëve dhe ankesat e tyre për atë që po u servohet.
Presidentja Vjosa Osmani të shtunën e ka ftuar në takim komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari dhe ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci, për të diskutuar, ndërsa ka kërkuar raport të detajuar për situatën.
Ministria e Mbrojtjes ka thënë paraprakisht se të gjitha kazermat e FSK-së janë funksionale dhe se në to po shërbehen llojllojshmëri shujtash, duke i quajtur propagandë raportimet në media.