Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, pas deklarimit të ministrit të Brendshëm serb Ivica Daçiq, se është arrestuar një shtetas kosovar në vendkalimin kufitar Serbi-Hungari, nën akuzat për gjoja krime të luftës kundër popullsisë jo-shqiptare gjatë luftës në Kosovë më 1999, ka kërkuar nga Serbia konfirmimin e asaj që u tha.
“Lidhur me këto raste Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka reaguar menjëherë duke i dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për të konfirmuar vërtetësinë e rastit të arrestimit dhe për të siguruar informacionet relevante, përfshirë identitetin e plotë të personit të arrestuar, rrethanat e arrestit dhe lokacionin aktual ku ai po mbahet”, tha Ministria e Jashtme.
Ajo tha se për këtë që thuhet se ka ndodhur janë njoftuar edhe misionet diplomatike të vendeve të Kuint-it.
“Për këtë çështje janë njoftuar edhe misionet diplomatike të vendeve të Kuint-it të akredituara në Serbi, si dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi. Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka njoftuar misionet diplomatike të vendeve të Kuint-it të akredituara në Kosovë dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian.”