Nesër seancë e jashtëzakonshme; Biseda me Radojçiqin e “përndjek” edhe të premten Kusari-Lilën në Kuvend

E publikuar: 10/10/2024 21:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës do të mbahet të premten, më fillim prej orës 12:00, ku në rend dite është debati parlamentar për komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, me Milan Radoiçiq, i cili njihet si terrorist.

Kjo seancë vjen pas publikimit të një audio-incizimi ku Kusari-Lila dëgjohet duke biseduar me Radojçiq, duke diskutuar për çështje të votimeve në Kuvend.

Në dokumentin e siguruar nga Dukagjini, theksohet se gjatë kësaj seance, partitë opozitare do të propozojnë një rezolutë për hetimin e veprimeve të Kusari-Lilës dhe shkarkimin e saj nga pozita.

Deputetja Kusari-Lila e ka cilësuar publikimin e audios si të montuar, duke hedhur poshtë akuzat dhe pretendimet për përfshirjen e saj në veprime të paligjshme.

“Asnjë formë ose asnjë komunikim nuk ka qenë me Listën Serbe për Ligjin për pagën minimale, rrjedhimisht incizimet e mbrëmshme janë të fabrikuara, për të cilat unë sot kam qenë në Polici dhe Prokurori dhe për këto do të vazhdoj ti bashkëngjitëm rastit që vitin e kam dorëzuar kallëzimin penal ndaj Simiqit. Do të thotë një manipulim dhe një montazh e asaj natyre e cila synon të vë në dyshim integritetin dhe personalitetin tim, pozicionimit politik dhe të GP të LVV nuk ka asnjë qëllim tjetër”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Kusari-Lilës në mbrojtje i ka dal edhe kryeministri Albin Kurti, i cili e ka cilësuar si një formë të “luftës hibride” publikimin e bisedës mes Milan Radoiçiqit dhe shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kështu që në këto momente nuk kam as se si ta shoh as ta dëgjoj por përshtypja ime është tash do intestfkohet lufta hibride kundër Republikës së Kosovës e në veçanti kundër Qeverisë sonë, kundër grupit tonë parlamentar dhe kundër shefes së Grupit Parlamentar. Këtë e kemi parë edhe në të kaluarën dhe unë nuk pres shumë çka të re prej atyre të vjetërve, të cilët natyrisht problemi më të madh e kanë sikurse në këto tri vite e gjysmë që ka pas, sundim të ligjit, rend publik, kushtetutshmëri dhe integritet territorialet, nuk i gjeni asnjëherë në Kosovën e pasluftës”, ka thënë Kurti.

Sipas raportimeve të Paparacit, audio-incizimi tregon një përpjekje të Kusari-Lilës për të siguruar votat e Listës Serbe për kalimin e Projektligjit për Pagën Minimale dhe për votimin e një kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese në qershor të vitit 2022.

Kujtojmë se para sulmit terrorist të 24 shtatorit në Zveçan, Radojçiq ka qenë në arrati nga autoritetet e Kosovës që nga janari i vitit 2019 dhe është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara në dhjetor të vitit 2021.

Opozita njëzëri kritikon Kusari-Lilën

Gjatë së enjtes në Kuvend, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka komentuar deklaratat e Kusari-Lilës, mbi bisedën e saj me Milan Radoiçiqin.

Gashi e quajti këtë situatë “tmerrin e demokracisë në Kosovë” dhe akuzoi VV-në për përfshirje në një logjikë përbaltjeje.

“Çka përfaqësojnë këta deputetë kur kryetarja e grupit të tyre parlamentar del akuzon, para, prapa, anash, djathtas, majtas, pështynë në tana anët, dhe këta entuziazmohen”, ka deklaruar Gashi në Kuvend.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë PDK nuk do të votojë asgjë në parlament për sa kohë Mimoza Kusari-Lila vazhdon të jetë në pozitën e shefes së grupit të parlamentar të VV-së.

Ai theksoi se PDK do të bojkotojë çdo proces ligjor dhe marrëveshje ndërkombëtare derisa Kusari-Lila të mbetet në pozitën e saj.

“Kur cenohet siguria kombëtare, nuk ka çështje më të rëndësishme për të biseduar në Kuvend”, ka theksuar ai.

Edhe Besnik Tahiri nga AAK e ka kritikuar ashpër Kusari-Lilën, i cili theksoi se qytetarët e Kosovës meritojnë të dinë detaje për kushtet e negociatave me Radojiçiqin.

“Cili ka qenë pazari i këtij negocimi? Nuk flitet për ligje që kanë të bëjnë me komunitetet, por për një ligj që prek secilin njeri, siç është ai për pagën minimale dhe veteranët e UÇK-së. Ky koordinim është një thikë pas shpine ndaj demokracisë së Kosovës”, ka thënë Tahiri ndër të tjera./dukagjini

6