Kusari-Lila: Imagjinoni kur dalin fotot e përurimit të shtëpisë së Radojçiqit e dhuratat për fëmijët e tij nga zyrtarë e udhëheqës

E publikuar: 10/10/2024 12:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se audio-incizimi që u publikua dje ku ajo dëgjohet duke biseduar me Milan Radojçiq, të akuzuarin kryesor për sulmin terrorist në Banjskë dhe të sanksionuarin e SHBA’së, është “fabrikim i plotë”.

Në seancën e Kuvendit, ajo ka paralajmëruar publikimin e disa fotove nga përurimi i shtëpisë së Radojçiq e dhurata që thotë se u janë bërë fëmijëve të tij nga zyrtarë e udhëheqës, raporton Express.

“Kjo çka ka dalë dje, është fabrikim i plotë. Imagjinoni kur të dalin fotot e përurimit të shtëpisë së Radojiçiqit. Imagjinoni kur dalin dhuratat për fëmijët e Radojçiqit nga zyrtarë e udhëheqës. Imagjinoni kur dalin kush e ka vizitu e kush ka pas biznese”, ka thënë Kusari-Lila.

Në bisedën e publikuar, Kusari-Lila flet me Radojçiq për Ligjin për Pagën Minimale. Për këtë çështje, ajo sërish ka drejtuar akuza ndaj PDK’së

“Juve po ju them votimi në lexim të parë i Ligjit për Pagën Minimale ka ndodhë në maj të vitit 2022. Ju keni dalë jashtë, Lista Serbe ka hy brenda. Pyetja e vetme që ju kam ba Listës Serbe është pse jeni këtu”, ka thënë Kusari-Lila.

Duke folur për Radojçiq, Kusari ka thënë se ai s’ka shanca të kthehet më në Kosovë, përveç duarlidhur.

“A e dini ju që Slavko Simiq prej qershorit 2022 nuk është ul në këto ulëse, A e dini ju që Milan Radojiçiq me Qeverinë Kurti është i përndjekur prej INTERPOLI, prej Kosovës edhe ai shancë s’ka të kthehet në Kosovë, asnjëherë më, vetëm duarlidhur”, ka thënë ajo.

Më 14 qershor, pasi ishte votuar Ligji për Pagën minimale, edhe me votat e Listës Serbe, që atë ditë ishte në sallën e Kuvendit, Kusari-Lila kishte akuzuar PDK-në se kishte dërguar Listën Serbe për votim.

“Sot është votuar Ligji për Pagën Minimale dhe në votim kanë marrë pjesë 74 deputetë (68 për, ndërsa 8 ishin abstenime nga grupi multientik). Në këtë rrethanë, si pozitë, gjegjësisht Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka diskutuar vetëm me Grupin Multietnik të deputetëve. Fatkeqësisht, në mungesë të PDK-së, ata e dërguan Listen Serbe që t’i japin këtë konotacion i cili pastaj është përcjellë edhe nga shoqata e veteranëve në reagimin e tyre”, kishte thënë Kusari-Lila në konferencën për media.