Bislimi: Në Beograd do të votohet që UNMIK-u përfundimisht të largohet nga përfaqësimi në CEFTA

E publikuar: 09/10/2024 13:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Besnik Bislimi

Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se në Beograd do të votohet me propozim të palës serbe që UNMIK-u përfundimisht të largohet nga përfaqësimi në CEFTA.

Bislimi tha se këtë e sheh si një zhvillim shumë pozitiv, sipas tij, sidomos meqë bëhet në Beograd, diçka që siç tha ai, s’ka ndodhur për shumë vite, raporton Ekonomia Online.

“Ndërkaq, sot në Beograd do të votohet me propozim të palës serbe që UNMIK-u përfundimisht të largohet nga përfaqësimi në CEFTA. Unë e shoh këtë si një zhvillim shumë pozitiv, sidomos meqë bëhet në Beograd, diçka që nuk ka ndodhur për shumë vite”.

Bislimi është shprehur se Kosova promovon tregtinë e lirë dhe sipas tij, ka qenë Serbia ajo që përmes barrierave të vazhdueshme jotarifore ka penguar eksportin e Kosovës drejt Serbisë. Ai shtoi se ajo që ka ndodhur është hapja e vetëm një pike kufitare me kontrolle të shtuara të sigurisë.

“Kosova promovon tregtinë e lirë dhe beson në përparësitë që sjell tregtia e lirë në rajon. Ka qenë Serbia ajo që përmes barrierave të vazhdueshme jotarifore ka penguar eksportin e Kosovës drejt Serbisë dhe eksportuesit tanë e dëshmojnë shumë herë se për ne është shumë më lehtë të eksportojmë në vende të largëta si Norvegjia apo Portugalia, sesa në Serbi, për shkak të barrierave që na vendosen atje”.

“Ajo që ka ndodhur është hapja e vetëm një pike kufitare me kontrolle të shtuara të sigurisë për arsye se edhe për Bashkimin Evropian është e qartë që siguria është më e rëndësishme se liria e lëvizjes së mallrave dhe kapitaleve”.