IPK rekomandon suspendimin e një polici, dyshohet se shpërndau të dhëna konfidenciale

E publikuar: 03/10/2024 20:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Inspektorati Policori Kosovës ka bërë të ditur se ka rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor të Kaçanikut, pasi i njëjti dyshohet se ka ndërhyrë në sistemin e policisë.

Në njoftimin e IPK-së thuhet se dyshohet që zyrtari policor ka ndërhyrë në bazën e të dhënave, duke përdorur kanale private të komunikimit, siç thuhet, për të përçuar informacione që bien ndesh me rregullat e privatësisë dhe sigurisë së informacionit të policisë.

Sipas IPK-së, kjo sjellje përbën një shkelje serioze të detyrave zyrtare dhe cenon integritetin dhe besimin në institucionin policor.

“Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për një zyrtar policor në Drejtorinë Rajonale të Ferizajt respektivisht stacionit policor të Kaçanikut me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Zbulim i paautorizuar i informacionit konfidencial.
Ky rekomandim është bërë në përputhje me parimet ligjore dhe transparencës, duke marrë parasysh rëndësinë e ruajtjes së standardeve më të larta etike dhe profesionale në Policinë e Kosovës. Informacionet e para lidhur me këtë rast hetuesit e IPK-së i kishin pranuar bazuar në denoncimin e një qytetari.
Bazuar në veprimet hetimore të ndërmarra deri tani nga hetuesit e IPK-së, dyshohet se zyrtari policor ka ndarë informacione të natyrës konfidenciale pa autorizimin përkatës, duke ndërhyrë në sistemin e policisë (bazën e të dhënave) dhe duke përdorur kanale private të komunikimit për të përçuar informacione që bien ndesh me rregullat e privatësisë dhe sigurisë së informacionit të policisë.” – thuhet në njoftim.