“Shfaqin para botës se kush janë shqiptarët”: Kurti në New York takon artistë dhe profesionistë të diasporës

E publikuar: 28/09/2024 18:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministren e Jashtme Donika Gërvalla Shchwarz, takoi artistë e profesionistë të diasporës kosovare që jetojnë e veprojnë në New York.

Takimi e bashkëbisedimi u mbajt në hapësirat ku po shfaqet ekspozita e artistit nga Kosova Petrit Halilaj.

Shefi i qeverisë, ata që i takoi i cilësoi si ambasadorë që shfaqin para botës se kush janë shqiptarët e çka ofron Republika e Kosovës.

Kurti tutje theksoi rolin kyç të diasporës në kultivimin e një tradite të pasur kulturore, raporton Klankosova.tv.

“Në këtë takim e bashkëbisedim të përzemërt, që u mbajt në hapësirat ku po shfaqet ekspozita e artistit nga Kosova, Petrit Halilaj, kryeministri Kurti duke i cilësuar ata si ambasadorë që shfaqin para botës se kush janë shqiptarët e çka ofron Republika e Kosovës, theksoi rolin kyç të diasporës në kultivimin e një tradite të pasur kulturore, arritjet e të cilëve na bëjnë krenarë dhe suksesi i tyre shërben si frymëzim për brezat e përkushtuar në të gjitha sferat qoftë teknologji, arsim, biznes e art”, shkruan në kumtesë.

Aty tutje shkruan se kryeministri tha se për qeverinë, diaspora është pjesë e pandashme e Republikës së Kosovës.

“Kësisoj, puna e artistëve e profesionistëve të rinj në mbarë botën e veçanërisht në New York, jo vetëm që forcon lidhjet kulturore dhe ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por gjithashtu luan një rol vendimtar në avancimin e reputacionit të Kosovës”.

Kurti tha se Kosova ka rininë me një potencial të jashtëzakonshëm krijues dhe se qeveria do të vazhdojë përpjekjet për krijimin e një ambienti të favorshëm krijues, ashtu që Kosova të jetë vend i mundësive e zhvillimit të talentit, si promovues më i mirë i vendit në botë.

“Vetëm këtë vit Qeveria ofroi mbështetjen më të lartë financiarë për kulturën prej 8 milionë euro, duke zëvendësuar skemat e mbështetjes, që ju ngjanin skemave sociale, në mbështetje të planifikuar e të kategorizuar e cila synon qëndrueshmërinë dhe pavarësinë ekonomike të organizatave të pavarura kulturore të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

“Me falënderime të posaçme për kontributin dhe pasionin në fushat e tyre profesionale, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen dhe tha se Kosova gjithmonë i mirëpret”.