Gërvalla paralajmëron aktivitete të përbashkëta me Kurtin në SHBA, atje ndodhet edhe Presidentja Osmani

E publikuar: 22/09/2024 19:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla ka shkuar në New York nga Kanadaja, ku ka marrë pjesë në takimin e Grave Ministre të Punëve të Jashtme.

Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Gërvalla do “të zhvillojë takime me përfaqësues të lartë të shteteve dhe organizatave të ndryshme botërore”.

“Minstrja Gërvalla do të jetë edhe pjesë e takimeve të ndryshme shumëpalëshe, të cilat do të trajtojnë tema të sigurisë globale dhe rajonale, politikës dhe ekonomisë” thuhet në njoftimin e MPJD.

Tutje, kjo ministri njofton se në SHBA do të jetë edhe Kryeministri Kurti ku bashkë me Gërvallën do të kenë takime me komunitetin shqiptar atje.

“Së bashku me kryeministrin Albin Kurti, Ministrja Gërvalla, do të mbajë takime të ndryshme me komunitetin shqiptar në SHBA, përfaqësues të ndryshëm të shoqatave dhe mekanizmave të ndryshëm shoqërorë”

Në SHBA ndodhet edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.