Kurti: Perëndimi shumë i kujdesshëm me Serbinë, Kosova po e paguan këtë padrejtësisht

E publikuar: 20/09/2024 18:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Albin Kurti EU1

Albin Kurti EU1

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi zyrtarët perëndimorë për “përkëdhelje” ndaj Serbisë, të nxitur nga, siç tha ai, frika e tepruar se Beogradi do të afrohej më shumë me Moskën.

Në një intervistë për Reuters në Bruksel, Kurti tha se Bashkimi Evropian po dështon të luajë rolin e arbitrit në zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga vetë Unioni për të normalizuar marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë.

Reuters thotë se zyrtarët e BE-së dhe ShBA-së ia kanë vënë fajin në masë të madhe Kurtit për dështimin për të ecur përpara me marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur në mars të vitit të kaluar në Ohër.

Por Kurti i hodhi poshtë këto pohime dhe tha se Perëndimi po dështon ta përmend me emër Serbinë për shkeljet e marrëveshjes.

“Dëshiroj që Brukseli të luajë rolin e një arbitri që do t’i binte bilbilit sa herë që të ketë shkelje të marrëveshjes”, tha Kurti.

“Ajo që kemi parë në këto dy vite është se sa herë që Beogradi ka shkelur marrëveshjen, Brukseli nuk ka vepruar”, shtoi ai.

“Përkëdhelja e Serbisë, mbi dy vjet e gjysmë që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, nuk po jep rezultat. Dhe dikush duhet të thotë stop”, tha ai, transmeton Klankosova.tv.

Kurti tha se diplomatët dhe zyrtarët në ballë të politikës perëndimore ndaj Serbisë po tregonin “shumë kujdes apo edhe frikë” ndaj Kremlinit.

Shërbimi diplomatik i BE-së, i cili ndihmoi ndërmjetësimin e marrëveshjes së Ohrit, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Frenat e BE-së

BE-ja frenoi ndihmën ekonomike dhe takimet e nivelit të lartë me qeverinë e Kurtit vitin e kaluar, duke e konsideruar atë përgjegjës për një shpërthim dhune në veriun e Kosovës me shumicë serbe.

Zyrtarët e BE-së dhe të ShBA-së kanë kritikuar gjithashtu Kurtin për mos themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe që do t’u jepte atyre një shkallë të vetëqeverisjes.

Serbia ka këmbëngulur që Asociacioni duhet të dalë i pari në listën e hapave tjerë për normalizimin e marrëdhënieve dhe akuzoi Kurtin për bllokimin e përparimit në dialogun e tyre të mbështetur nga BE-ja.

Në intervistë, Kurti tha se ishte i gatshëm të fliste për “vetëmenaxhimin” për serbët, por nuk dëshiron të pranojë asgjë që do ta minonte Kosovën si shtet.

Ai tha gjithashtu se ishte gabim që Perëndimi të përqendrohej kaq shumë në një çështje kur kishte një gamë të gjerë marrëveshjesh midis Kosovës dhe Serbisë që Beogradi nuk kishte arritur t’i respektonte.

Kurti tha se një përkushtim i tillë ishte hapja e urës kryesore në qytetin verior të Mitrovicës të ndarë etnikisht.

Kurti tha se ishte duke u konsultuar për urën, duke përfshirë edhe serbët vendas, “por debati nuk mund të zvarritet përgjithmonë”.

Ai tha se Beogradi donte ta mbante urën të mbyllur sepse donte të ndante veriun me shumicë serbe nga pjesa tjetër e Kosovës.

“Mendoj se ata në Serbi që insistojnë të mbajnë urën të mbyllur, duan të mbajnë gjallë ëndrrën e ndarjes së Kosovës”, tha ai.

“Duhet ta hapim urën dhe ta bëjmë Kosovën normale”. /Klankosova.tv

Kurti: Perëndimi shumë i kujdesshëm me Serbinë, Kosova po e paguan këtë padrejtësisht

(Radio Evropa e Lirë) Kryeministri Albin Kurti, e ka akuzuar Perëndimin të enjten se po e “përkëdhel” Serbinë për shkak të frikës dhe shqetësimeve për destabilizim, duke shtuar se ajo nuk po “shpaguhet” dhe se Kosova po “paguan” për këtë.

Qeveria e Kurtit është kritikuar nga disa vende të Perëndimit dhe BE-ja për një sërë vendimesh në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe gjatë këtij viti, ku ai ka thënë se dëshiron të vendosë rënd dhe ligj.

Ai tha se Perëndimi, duke qenë “shumë i kujdesshëm” me Serbinë, po bën që edhe Kosova “të paguajë për këtë dhe kjo nuk është e drejtë”.

Duke folur në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters të premten, Kurti tha: “Mendoj se përkëdhelja e Serbisë [nga Perëndimi] gjatë dy vjetëve e gjysmë prej se ka nisur agresioni rus në Ukrainë nuk po shpaguhet, prandaj dikush duhet të thotë mjaft”.

“Lidhjet e fuqishme të Serbisë me Federatën Ruse dhe lidhjet e thella historike, ekonomike dhe kulturore mes tyre, po e bëjnë Perëndimit të jetë shumë i kujdesshëm me Serbinë”, tha Kurti.

Serbia, për dallim nga vendet e BE-se dhe vendet e tjera të Perëndimit, nuk pranon të vendosë sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës nga Moska.

Ajo vazhdon të mbajë lidhje të ngrohta me Rusinë, edhe pse ka thënë se e mbështet integritetin territorial të Ukrainës.

Ndërkohë, muajt e fundit Serbia ka nënshkruar një marrëveshje me Francën për blerjen e avionëve luftarakë në vlerë rreth 2.7 miliardë euro, si një memorandum mirëkuptimi për litium me BE-në.

“Ajo [Serbia] ka gjetur partnerë edhe në Perëndim për shkak të frikës dhe shqetësimeve që disa diplomatë i kanë se mund të ndodhë destabilizimi përsëri. Para luftës në Ukrainës kam parë disa diplomatë perëndimorë shumë të relaksuar, tani të njëjtit janë shumë të frikësuar. Mendoj se ata e kanë pasur gabim atëherë dhe e kanë gabim tani”, shtoi ai.

“Brukseli t’i bëjë trysni Serbisë”

Kurti e kritikoi Bashkimin Evropian, të cilit të dyja vendet fqinje synojnë t’i bashkohen dikur, se nuk ka reaguar ndaj “shkelje” që ka bërë Serbia.

“Brukseli duhet ta luajë rolin e gjyqtarit që i bie pipit kurdo herë që ka shkelje të Marrëveshjes”, tha Kurti, duke iu referuar Marrëveshjes Bazë që Kosova dhe Serbia e arritën nën ndërmjetësimin e BE-së në fillim të vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve.

Bashkimi Evropian vazhdimisht ka kritikuar palët për moszbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Kurti ka ngulur këmbë që marrëveshja të nënshkruhet dhe që Serbia ta tërheqë një letër që kryeministrja e atëhershme, Ana Bërnabiq, i dërgoi BE-së vitin e kaluar, ku shprehu rezerva për marrëveshjen, si dhe t’ia dorëzojë Kosovës Millan Radoiçiqin dhe grupin e tij, të dyshuar për sulmin e armatosur në Banjskë.

“Çfarë kemi parë këto dy vjet është se Brukseli nuk ka reaguar kur Beogradi e ka shkelur marrëveshjen. Ne duam që Brukseli t’i bëjë trysni Serbinë ta respektojë marrëveshjen dhe të angazhohet me vullnet të mirë dhe në mënyrë konstruktive në zbatimin e plotë të saj”, tha Kurti.

Qeveria e Kurtit e ndaloi dinarin serb, mbylli disa degë të postës serbe, si institucione paralele serbe në një sërë vendimesh gjatë këtij viti, ndërsa synon ta hapë edhe urën mbi lumin Ibër, për cfarë është kritikuar se rrezikon trazira dhe destabilitet.

Në lidhje me urën mbi Ibër, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, Kurti e akuzoi Serbinë se dëshiron ta mbajë të mbyllur.

“Serbia dëshiron ta mbajë të mbyllur urën në Mitrovicë sepse dëshiron ta mbajë të gjallë ëndrrën për ndarjen e Kosovës. Ajo dëshiron ta shndërrojë urën mbi Ibër në një kufi të ri. Kjo nuk do të ndodhë”, tha ai.

Tani ura është e hapur vetëm për këmbësorë dhe ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në të. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu. /REL