Shtetet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të diskutojnë sot kërkesën e palestinezëve për t’i dhënë fund pushtimit izraelit të territoreve palestineze, brenda 12 muajve.
Teksti i projekt-rezolutës, që është përballur me kritika të ashpra nga Izraeli, bazohet në një opinion këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili e cilëson si “të paligjshëm” pushtimin e vazhdueshëm izraelit që nga viti 1967.
“Izraeli është i detyruar t’i japë fund pranisë së tij të paligjshme në territorin e pushtuar palestinez sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në opinionin e përpiluar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.
Në përgjigje, vendet arabe kanë bërë thirrje për një seancë të posaçme të kësaj asambleje.
Projekt-rezoluta kërkon, gjithashtu, tërheqjen e forcave izraelite nga territoret palestineze, ndalimin e vendbanimeve të reja, kthimin e tokave dhe të pronave të sekuestruara, si dhe mundësinë e kthimit të palestinezëve të zhvendosur.
Miratimi i rezolutës do të ishte “një shpërblim për terrorizmin dhe një mesazh për botën se masakra barbare e fëmijëve, përdhunimi i grave dhe rrëmbimi i civilëve të pafajshëm janë taktika të vlefshme”, tha ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon.
Ai iu referua sulmit të Hamasit – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – më 7 tetor të vitit të kaluar në Izrael.
Atë ditë, Hamasi vrau mbi 1.200 njerëz dhe mori mbi 250 pengje, prej të cilave gati 100 vazhdojnë të mbahen në Gazë.
Në përgjigje të sulmit, Izraeli vazhdon ofensivën e tij në Gazë – enklavë e kontrolluar nga Hamasi.
Sipas autoriteteve atje, nga sulmet izraelite janë vrarë mbi 41.000 njerëz.
Zyra e të Drejtave e OKB-së thotë se shumica e viktimave janë gra dhe fëmijë. /REL/