Dita Ndërkombëtare e Demokracisë – Kurti: Jam krenar që udhëheq vendin më demokratik në rajon

E publikuar: 15/09/2024 20:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është krenar që udhëheq vendin më demokratik në rajon.

Të paktën, kështu ka shkruar ai në X, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.

“Si kryeministër i Republikës së Kosovës, jam krenar që udhëheq vendin më demokratik në rajonin tonë dhe një nga demokracitë me përparimin më të shpejtë në botë.”

Po ashtu, i pari i qeverisë ka rikonfirmuar se Kosova qëndron krahë partnerëve demokratë dhe aleatëve në mbarë botën ‘për të punuar së bashku për të siguruar edhe një herë që qeveria e popullit, nga populli, për popullin, të mos humbasë nga dheu’.

E megjithatë, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë këtë vit, , Kurti thotë se ‘puna jonë është ende e paplotë. Le të kujtojmë se sa shumë kemi luftuar për të arritur në këtë pikë – dhe sa fort duhet të luftojmë ende për të mbrojtur demokracitë e botës nga kërcënimet binjake të autoritarizmit nga brenda, dhe agresionit nga jashtë’.