Bislimi: Kosova pranoi një takim trepalësh, Serbia e refuzoi një të tillë

E publikuar: 13/09/2024 16:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Besnik Bislimi

Besnik Bislimi

Kryenegociatori kosovar në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel, Besnik Bislimi ka konfirmuar se të martën është caktuar një takim mes dy delegacioneve.

Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, Bislimi demanton raportimet e mediave serbe, të cilët këta të fundit, gjatë ditës së sotme kanë deklaruar se pala kosovare e ka refuzuar takimin trepalësh.

Sipas tij, Kosova ka pranuar takimin trepalësh më 17 shtator, sipas agjendës së caktuar nga ndërmjetësi, duke shtuar se Serbia ishte ajo që e refuzoi një takim të tillë.

“Për bisedimet e ardhshme të procesit të dialogut në Bruksel të vendosura për 17 shtator, Kosova ka pranuar një takim trepalësh sipas agjendës së caktuar nga ndërmjetësi. Fatkeqësisht, Serbia e refuzoi një takim të tillë duke u përpjekur të imponojë pika të rendit të ditës kryesisht për konsum politik të brendshëm”, ka thënë Bislimi në X.

Ai i bëri thirrje Lajçakut që “të mohojë dezinformimin e qëllimshëm nga mediat serbe”, “të cilat thonë në mënyrë të rreme se Kosova ka refuzuar takimin trepalësh të kryenegociatorëve”./EO