Gjykimi për trajtim të pandërgjegjshëm, bashkëshorti i 36-vjeçares që ndërroi jetë në QKUK tregon si kishte rrjedhur ngjarja

E publikuar: 09/09/2024 16:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në rastin ku Vjosa Zejnullahu, Selman Demolli, Myzeine Muja dhe Bashkim Sheholli, në cilësinë e mjekëve po akuzohen për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor ndaj S.F., bashkëshorti i të ndjerës, N.F., gjatë dëshmisë së tij të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, tregoi se si kishte rrjedhur ngjarja.

Fillimisht, N.F., tha se tani e ndjera S.F. në Emergjencë kishte filluar gjakderdhjen nga hunda dhe nga goja, dhe se e gjithë kjo kishte filluar në momentin kur kishte filluar të merrte gjak, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Prej fillimit kur ka fillu me marrë gjakun, domethënë prej orës 7 e diçka në mramje, deri në 23:40. Ka fillu gjakderdhja prej gojës edhe prej hundës”, tha dëshmitari, duke pohuar se kjo i bie me një interval kohor prej katër orësh pas marrjes së gjakut.

Ndërsa, tha se pasi asaj i ishte bërë një CT, i kishin treguar se nuk ka pasur gjakderdhje në tru.

Tutje, N.F., tha se bashkëshortja e vëllait të së ndjerës, e cila sipas tij kishte qëndruar me të ndjerën, i kishte thënë se në disa momente tani e ndjera kishte tentuar ta largonte qesen e gjakut.

“…ma ka sqaru se në do momente S., ka tentu me hek kesen e gjakut, po nuk ka mujt… s’ka mujt me bisedu, as me lëvizë”, tha ai.

Po ashtu, bashkëshorti i të ndjerës tha se S., i kishte treguar se tani e akuzuara Zejnullahu e kishte ndërprerë transfuzionin dhe më pas e kishte vazhduar përsëri.

Ndërkaq, tha se një transfuziolog ia kishte sqaruar këtij (dëshmitarit N.F) se është dashur të ftohet një transfuziolog menjëherë pas ndërprerjes së transfuzionit.

“Po, kjo ka vazhdu, e qaj vazhdim e ka keqësu gjendjen e saj derisa e ka hup vetëdijen. Çka është më e keqja pasi ka kalu pa vetëdije, nuk ju ka dhanë oksigjeni me kohë”, shtoi N.F.

Tani të ndjerën, ai tha se e kishte dërguar vetë në Emergjencë së bashku me dy infermiere të repartit të Gjinekologjisë dhe se nuk kishte shkuar asnjë mjek me ta.

“Kur e kemi dërgu në Emergjencë, mjeku kujdestar nuk ka mendu që e kemi pru prej spitalit, po prej shpisë a ndonjë aksident. Kur i kam tregu se është prej Gjinekologjisë, atëherë ai mjek iu ka bërtitë motrave, iu ka thanë ku është mjeku dhe ka kërku raportin”, u shpreh dëshmitari.

Në lidhje me këtë, ai tha se është paraqitur tani e akuzuara Zejnullahu, duke shtuar se mjeku i Emergjencës ka kërkuar që të paraqitet mjekja e cila është marrë me të në repartin e Gjinekologjisë.

Dëshmitari pohoi se pastaj ka pasur edhe një fjalosje mes tani të akuzuarës Zejnullahu dhe mjekut të Emergjencës.

“Aty e kam dëgju mjekun e Emergjencës, kur iu ka drejtu doktoreshës Vjosa Zejnullahu me fjalët “çka keni bo kështu”. Pastaj, janë largu ata dytë- mjekët. Kur janë largu në atë pjesën e korridorit të Emergjencës ka qëllu një familjare e jona, edhe e njëjta i ka dëgju britma të dy mjekëve”, tha tutje dëshmitari.

Po ashtu, N.F., tha se të nesërmen, mjeku Hysen Hyseni është interesuar për rastin bashkëshortes së tij dhe se kishte propozuar që menjëherë t’i bëhen analizat e gjakut, duke shtuar se i njëjti ka aluduar që ka pasur reaksion post-transfuzion.

“…edhe gjatë bisedës më ka thënë që është dashtë prej në fillim, kur e ka vërejtur reaksionin e parë, të thirret transfuziologu i gjakut për të reaguar lidhur me produktin e gjakut dhe të ruhet qesja”, tha ai.

Kurse, theksoi se nga transfuziologu e kishte kuptuar se qesja e gjakut ka qenë obligative që të ruhet nga mjeku që e ka dhënë gjakun.

Këto deklarime, dëshmitari i bëri duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësuesit të tij, avokatit Asdren Hoxha. Por, vërejtje lidhur me pyetjet e këtij të fundit, kishte mbrojtësi i të akuzuarit Demolli, avokati Besnik Berisha.

Ndërkaq, pas fillimit të parashtrimit të pyetjeve nga ana e mbrojtjes, konkretisht mbrojtësit të të akuzuarës Zejnullahu, avokatit Florent Latifaj, pati vërejtje për pyetjet e tij nga avokati Hoxha.

Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Avni Syla ia tërhoqi vërejtjen avokatit Hoxhaj që mos ta vë Gjykatën në lajthitje në pyetje të përgjithshme, pa iu referuar saktë dokumenteve.

Kjo pasi në njërën prej pyetjeve, avokati Hoxha iu kishte referuar një dokumenti si “raport”.

Avokati Hoxha mohoi të ketë pasur për qëllim një gjë të tillë, duke thënë se “për pyetjen time të cilën e kom paraqit, unë jam thirrë në deklaratat e të akuzuarës Vjosa Zejnullahu, të datës 21 01 2016 dhe 10 02 2016, të cilat i ka dhënë e akuzuara në raport me këtë çështje, e të cilave unë ju kam referuar me raport në vend të deklaratë”.

Kurse, dëshmitari N.F., tha se dëshmia e tij ka të bëjë me shënimin e konstatuar në librin e pacientëve.

Gjithashtu, të njëjtit iu tërhoq vërejtja që të jetë më i arsyeshëm në rastet kur i kërkohet që mos të pengojë Gjykatën kur konstaton në procesverbal dhe se do të merren masa ligjore ndaj të njëjtit nëse nuk e përfillë Gjykatën.

Më pas, seanca u ndërpre për shkak se për sesionin e pasdites është planifikuar tjetër seancë, andaj dëshmia e dëshmitarit pritet të vazhdojë në seancën e radhës.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Vjosa Zejnullahu, Selman Demolli, Myzeine Muja dhe Bashkim Sheholli, në cilësinë e mjekëve më 20 janar 2016 në Prishtinë në QKUK-KGJO, me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore, duke vepruar me dashje të mundshme, të vetëdijshëm se veprimet e tyre mund të sjellin deri te vdekja pacientin, kanë përdorur metoda të papërshtatshme të trajtimit dhe me atë rast kanë shkaktuar përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të së dëmtuarës- tani të ndjerës S.F.

Në aktakuzë thuhet se e akuzuara Zejnullahu nuk ka kërkuar mendimin e mjekëve të tjerë nëse e dëmtuara duhet të trajtohet fillimisht në emergjencë apo në terapi intensive, duke nënvlerësuar ankesën e pacientes për reagimin ndaj transfuzionit të gjakut dhe vazhdoi dhënien e gjakut, duke vlerësuar gabimisht gjendjen e pacientes dhe anashkaluar konsultimin e transfuziologut.

Siç thuhet në aktakuzë, e akuzuara Zejnullahu duke e ditur se përkeqësimi i gjendjes së pacientes ka ndodhur pas transfuzionit të gjakut, e ka dërguar pacienten në qendrën urgjente dhe nuk ka dërguar qesen me gjak, për të parë se cili gjak i është dhënë të dëmtuarës, duke ditur faktin se ka grupe të ndryshme të gjakut dhe duke e shkatërruar si provë kryesore në këtë rast.

Tutje sipas aktakuzës, të akuzuarit Demolli dhe Muja nuk kanë vepruar sipas protokolleve standarde për trajtimin e pacientit, sepse nuk kanë dhënë rekomandime për konsultim me transfuzuiologun pasi të dëmtuarës i është përkeqësuar gjendja dukshëm gjatë marrjes së gjakut në atë mënyrë që të gjithë ata nuk kanë ndërmarrë veprime për trajtimin e pacientes me antireaksion (terapi për reaksion post-tranzionit), pastaj dhanë konkluzione të gabuara duke vendosur që në vend që të thërrisnin për konsultë transfuziologun, kanë thirrur neurologun, tani të akuzuarin Sheholli.

Më tej, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Sheholli, i cili nuk ishte mjek kompetent për këtë rast, urdhëroi diçka tjetër që nuk ishte në përputhje me protokollin, duke rekomanduar të bëhet CT e trurit të pacientes dhe anashkaloi konsultën me transfuziologun, ndërsa të gjithë si ekip nuk rekomanduan mbajtjen e qeses me gjak të cilën e ka marrë e dëmtuara për analiza të mëtutjeshme, ku në atë rast gjendja përkeqësohet dhe vjen deri te vdekja e të dëmtuarës S.F.

Në këtë rast, secili prej tyre akuzohet se ka kryer vepër penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” nga neni 260, par. 4 lidhur me par.1 të Kodit Penal.