Dëshmia e Tetaj në Hagë: Sa herë ka ardhë Thaçi ne kemi pasur pak probleme, kishte presion

E publikuar: 03/09/2024 12:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Rrustem Tetaj tha se me ish-presidentin Hashim Thaçi është takuar tri herë gjatë kohës së luftës.

“Sa më kujtohet mua, kjo ka qenë para emërimit të Tahir Zemës që jam taku, nja dy herë që e kam taku Hashim Thaçin. Një herë e kam pa, s’kam pas kontakt shumë me ta. Dytën herë ka qenë në zyrën time dhe ka qenë edhe një person tjetër. Në rroba civile, nuk ka pas uniformë. Prezent ka qenë edhe Bislim Zyrapi. Po gjithqysh u kanë përpara, para të 21-it kur Tahir Zemaj është emëru komandant i Rrafshit të Dukagjinit”, tha Tetaj.

Ndërsa më vonë, tha se e kishte takuar Thaçin në Zhebel, afër Bardhaniqit.

“Dy herë e kam pa në Prapaqan dhe njëherë jemi taku në Zhebel”, tha dëshmitari Tetaj.

Përpara kësaj, dëshmitarit iu prezantua edhe një dokument që tha se kanë qenë shabllone si leje udhëtimi në zonën ku ai ka vepruar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky dokument, prokurori Nathan Quick kërkoi që të pranohet në prova materiale, mirëpo kjo gjë u kundërshtua nga mbrojtja e Selimit. Megjithatë, dokumenti u pranua në prova gjyqësore.

Tetaj teksa foli për takimet me Thaçin në Kazermën e Prapaqanit, tha se sa herë shkonte tashmë i akuzuari atje, ata kishin nga pak probleme.

“Sa herë ka ardhë Hashim Thaçi ne kemi pas pak probleme në kazermën e Prapaqanit bash mu për këtë se ishin dy fraksione. Kishin divergjenca të mëdhaja në mes, a në realitet ishim një Ushtri”, tha Tetaj.

Përpara kësaj, dëshmitari tha se në zyrën e tij e ka pasur një fotografi të Ibrahim Rugovës.

“Ka qenë fotografia e Rugovës, kështu që asokohe ka qenë më shumë aktuale që të merren me Ibrahim Rugovën dhe anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës sesa vetë me ushtrinë ose me organizimin e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Tetaj.

Ai shtoi se ka pasur presion në atë kohë që asgjë të mos jetë në emër të Ibrahim Rugovës.