Ish i dërguari Special i Bashkimit Evropian për Kosovë, Wolfgang Petritsch, në një intervistë për televizionin publik, ka theksuar se nga e gjithë situata e krijuar rreth shkuarjes apo jo të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi në Beograd, në fund humbës ka qenë Serbia.
Sipas ish-diplomatit austriak, Serbia sërish e ka humbur një rast për të dëshmuar konstruktivitet, sidomos në këtë fazë kur po zhvillohet një dialog i rëndësishëm ndërmjet dy shteteve.
“Iniciativa për t’i dërguar zëvendëskryeministrit Thaçi ftesë për të shkuar në Beograd ka qenë shumë e mirë. Është mjaft dëshpëruese që Serbia humbi këtë mundësi të krijuar nga OJQ-të serbe me ndihmën e Ambasadës britanike në Beograd”, ka theksuar Petritsch.
Megjithatë, Petritsch ka thënë se refuzimit të Beogradit nuk duhet dhënë ndonjë rëndësi të veçantë, meqë dialogu duhet të vazhdojë edhe më tutje.