Pas aksioneve të djeshme të Policisë së Kosovës për mbylljen e komunave paralele, misioni i NATO’s, KFOR, ka shtuar prezencën e tij në Urën e Ibrit, përfshirë edhe një kordon të pjesëtarëve të karabinierëve.
Gazeta Express ka pyetur KFOR-in për këtë prezencë të shtuar, por ende nuk ka kthyer përgjigje.
Ndërkaq, Radio Evropa e Lirë raportoi se një pjesëtar i forcave italiane të KFOR-it në urën i Ibrit i tha korrespondentes së REL-it në terren se, gjatë ditës së sotme, “nuk pritet ndonjë gjë e veçantë” dhe se ato gjenden aty “për shkak të operacioneve rutinore”.
Rritja e pranisë mbi këtë urë vjen një ditë pasi autoritetet e Kosovës mbyllën pesë komuna paralele serbe në veri të Kosovës.
Aksioni është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos ndërmarrë veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.