Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier dhe Kryeministri Albin Kurti
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, ka reaguar pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës në Veri të vendit, që ka rezultuar me mbylljen e institucioneve paralele që kanë vazhduar të funksionojnë në katër komunat veriore.
Në reagim thuhet se SHBA përsërit shqetësimin dhe zhgënjimin me “veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës që vazhdojnë të kenë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë”.
Ambasada potencon se ky aksion i sotëm s’ka qenë i koordinuar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare, dhe thekson se çështjet që lidhen me strukturat e përkrahur nga Serbia, në Kosovë, duhet të trajtohen përmes Dialogut në Bruksel.
Ambasada e SHBA-së thotë se veprimi i sotëm në Veri të vendit e rrit përkeqësimin e partneritetit në mes të Qeverisë së Kosovës dhe SHBA-së.
“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”, thuhet në reagim.
Ambasada e SHBA-së ka potencuar përkrahjen që ia ka dhënë Policisë së Kosovës prej vitesh dhe potencojnë se instrumentalizimi i vazhdueshëm i saj nga ana e Qeverisë për të kryer veprime të pa koordinuara s’është në përputhje me premtimin për vazhdim të konsultimeve dhe koordinim me komunitetin ndërkombëtar.
“Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj.”