Rreth orës 22:40, raportohet të ketë pasur gjuajtje me armë zjarri në rrugën “Maliq Pashë Gjinovci” në Prishtinë.
Rastin e ka konfirmuar Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Prishtinës.
Zyrtarja e PK-së tha se menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
“Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga arma e zjarrit është lënduar një person”, ka thënë Ahmeti.
Hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore, dhe deri tani është arrestuar një person i dyshuar.
Nga kjo gjuajtje me armë zjarri me lëndime në këmbë ka mbetur personi E.B., 49-vjeç, mëson Gazeta Express.
Lidhur me rastin është arrestuar personi S.A., 60-vjeç, i dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje.
Sipas burimeve të Expressit i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetë, teksa dyshohet se ka edhe persona tjerë të përfshirë në këtë rast që janë në arrati.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes.