Gërvalla thotë se Presidentja po sulmohet ende pa pasur një version fillestar të policisë rreth vrasjes në Ferizaj

E publikuar: 17/08/2024 19:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla ka reaguar pas raportimeve se personi qe u vra dje në Ferizaj është familjar I Prindon Sadriut, bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani, shkruan Gazeta Express.

Sipas Gërvallës, kjo është një fushatë e drejtuar drejt presidentes, teksa shtoi se as policia nuk ka një version fillestar për rastin.

“Ende pa u fshirë mirë gjurmët në vendin e ngjarjes dhe pa dalë policia as me një version fillestar të vrasjes së djeshme, Buzhala dhe kategoria e tij, sikur të kishin qenë duke e pritur këtë tragjedi, raketat e sulmit i paskan drejtuar me nxitim kah Presidentja e Republikës së Kosovës. Kjo nuk është as fushata e parë dhe fatkeqësisht as e fundit e pikërisht kësaj kategorie kundër institucioneve të Republikës. Do të shpenzohet dhe venitet ashtu si të tjerat para saj dhe tek qytetarët e Kosovës do të lërë neverinë për nivelin dhe metodat”, tha ajo.

Për raportimet e vrasjes së 89-vjeçarit mbrëmë në Bibaj të Ferizajt, ka reaguar vetë presidentja Vjosa Osmani, sipas saj duke e implikuar atë dhe bashkëshortin e saj “në situata me të cilat nuk kemi asnjë lidhje të vetme, kanë qëllim të qartë të nxitjes së urrejtjes, e cila pastaj rezulton në dhunë”, shprehet Osmani.

Ajo ka thënë se për raportimet i ka njoftuar institucionet e sigurisë dhe është në përgatitje të të gjitha mjeteve ligjore.

Osmani shton se nuk ka njohur për rrethanat në të cilat ka ndodhur vrasja e as për ndonjë rast dhunimi./Express