Më 1 gusht, presidentes Vjosa Osmani iu tentua t’i merret telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit në Aeroportin e Shkupit (TAV), një veprim që sipas Presidencës së Kosovës nuk ndodh në asnjë vend të botës.
Presidenca e Kosovës ka thënë ky ishte një rast i paprecedentë dhe shkelje e rregullave ndërkombëtare.
“Në asnjë shtet të botës nuk i kërkohet kreut të shtetit që të dorëzojë telefonin për skanim,” u shprehën përfaqësuesit e Presidencës. “Ne kemi përvojë të mjaftueshme nga udhëtime të tjera dhe kurrë nuk kemi hasur në një kërkesë të tillë. Në shumicën e shteteve, nuk kontrollohet as bagazhi personal, as çanta e as telefoni i kreut të shtetit”, thuhet nga ana e Presidencës.
Për më tepër, Presidenca ka theksuar se Maqedonia e Veriut është i vetmi vend që ka refuzuar të zbatojë të drejtën ndërkombëtare dhe konventat që i aplikohen kreut të shtetit.
“Siç kemi deklaruar disa herë, presidentja e ka vendosur në kontroll çantën e saj dhe ajo e ka kaluar skanerin. Çdo deklaratë tjetër është propagandë për qëllime politike. Nuk ka asgjë profesionale në sjelljen e sigurimit që i del përpara kreut të një shteti dhe ia bllokon lëvizjen pasi ta ketë vendosur edhe çantën në skaner. RMV ka shkelur rregullat ndërkombëtare që aplikohen çdokund në botë duke kërkuar skanimin e telefonit të Presidentes së një shteti tjetër, gjë që do të paraqiste potencial për cenim të sigurisë kombëtare”, thuhet tutje në deklarimin e Presidencës për dukagjinin.
Në reagimin e saj, Presidenca ka potencuar se për shkak të këtyre ngjarjeve, presidentja Vjosa Osmani ndryshoi itinerarin e udhëtimit dhe nuk u kthye në Kosovë përmes Aeroportit të Shkupit.
“Ekipi i saj i sigurisë ka vlerësuar se pas propagandës marramendëse nuk ekzistojnë as kushtet bazike të sigurisë për një gjë të tillë”, thuhet tuje nga ana e Presidencës.
Ndryshe, këtë të premte, Agjencia e Aviacionit Civil (AAC), pas incidentit me presidenten Osmani, ka theksuar se shërbimet e aeroportit kanë respektuar standardet ndërkombëtare të sigurisë dhe kanë vepruar në përputhje me rregullat e përcaktuara.