Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se, Prokuroria e Qarkut në Beograd, sot, ka dhënë leje për tërheqjen e trupit të një qytetari të Kosovës, që dyshohet të jetë vrarë në Lloznicë të Serbisë, e që besohet të jetë trupi i Faton Hajrizit.
MPJ-ja tha se avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koci, i mbështetur nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, po i kryen procedurat e tërheqjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës nga morgu i Lloznicës, për t’u sjellë në Kosovë.
“Rreth procedurave të mëtutjeshme mjeko-ligjore të identifikimit dhe verifikimit të trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës, nga institucionet e Republikës së Kosovës, do të ju mbajmë të informuar.”
Gjatë ditës, avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koci e ka konfirmuar se trupi i pa jetë në morgun e Lloznicës është i Faton Hajrizit.
Koci tha se atij i është lejuar që ta shohë trupin e tij, dhe se sipas tij, “mbetet tash edhe ekspertët tanë ta konfirmojnë”.
Në këtë përfundim, autoritetet serbe erdhën pasi morën strishon e nënës së Faton Hajrizit në mënyrë që të mund të bëjnë identifikimin e trupit të pajetë.