KFOR-i demanton qeverinë: Inspektimi i Urës së Ibrit u bë pa koordinim me ne, u njoftuam disa orë para se të niste

E publikuar: 08/08/2024 20:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Institucionet e Kosovës kryen dje inspektime mbi qëndrueshmërinë fizike të Urës së Ibrit, kurse sot edhe testime me kamionë që kaluan mbi të, pasi qeveria ka paralajmëruar hapjen e saj.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili qëndroi në Mitrovicë gjatë testimit të Urës, tha para mediave se ky veprim është “në koordinim me KFOR-in”.

Mirëpo, misioni i NATO-s në Kosovë – KFOR për klankosova i ka demantuar këto pretendime, duke thënë se zhvillimet në urë s’kanë qenë të koordinuara me ta.

“Jemi në dijeni të raportimeve se inspektimi teknik i urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë është koordinuar me misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO. Kjo nuk është e vërtetë”, tha një zëdhënës i KFOR-it.

Më tej, ky zëdhënës tha se nuk janë të përfshirë në asnjë mënyrë në këtë situatë dhe se për inspektimin fillestar të ditës së djeshme (e mërkurë), janë njoftuar nga drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, vetëm disa orë para se të niste procesi.

“Deklarata jonë e datës 6 gusht 2024 ishte e qartë: Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ozkan Ulutash, është njoftuar nga drejtori i Policisë së Kosovës ditën e inspektimit fillestar, vetëm disa orë para se ai të niste.”