Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në një intervistë për Ekonomia Online, ka folur për punën e ministrisë dhe zhvillimet e saj në katërvjeçarin e fundit.
Hajdari ka thënë se gjatë mandatit të saj, MINT ka pasur shumë reforma të bazuara “në parimet e qeverisjes së mirë, ku është ndarë poltikëbërja me ekzekutimin”, teksa shtoi se skemat e granteve të keqpërdoruara janë ndalur.
Ndërsa, për sektorin privat, Hajdari ka thënë se Ministria ka kryer një analizë të mirëfilltë për hartimin e politikës së parë industriale, për t’i ndihmuar rritjes së industrisë.
Ajo ka thënë se 10 zona ekonomike në Kosovë do të kthehen në parqe industriale teknologjike, me 33 milionë euro të zotuara nga Qeveria për këtë vit dhe dy vitet e ardhshme. Synim i ministres është që, përveç krijimit të inkubatorëve të rinj e qendrave të industrisë, ta sjellë sa më afër industrinë dhe akademinë.
“Në lidhje me punën katërvjeçare të kësaj ministrie, së pari i kemi larguar skemat që kanë qenë në keqpërdorim duke filluar nga skemat e granteve, emërimet e trupave vlerësues të konformitetit në fushën e naftës, betonit, duhanit e tregtisë. Kemi sjellë një strukturë funksionale të ministrisë së industrisë duke u bazuar në parimet e qeverisjes së mirë, ku është ndarë poltikëbërja me ekzekutimin. Pastaj, kemi filluar me një diagnostifikim të sektorit privat, duke analizuar të gjitha mundësitë që i ka sektori privat dhe kemi ardhë në një draftim-hartim të politikës së parë industriale me synim shumë ambicioz që industria jonë po rritet. Sektorët prioritar në rritje janë duke u integruar gradualisht në zinxhirin global të vlerës , por që kanë nevojë përmes shumë instrumenteve të përkrahen”.
Ministrja ka shtuar se Kosova nga aspekti legjislativ është në harmoni me legjislacionin e BE-së, teksa ka përmendur disa ligje të reja, ku 20 sosh janë transpozuar nga direktivat e BE-së.
“Kemi sjellë shumë reforma në pritje për 10 vjeçarin e fundit që ka pasë në fushën e naftës, inspektimeve pastaj 20 ligje tjera që janë industri në inovacion, ndërmarrësi, në tregti të jashtme duke u bazuar në parimet e OSD-së, në parimet e organizatës botërore të tregtisë, konventave ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara dhe në rregulloret e direktivave të BE-së. Kosova nga aspekti legjislativ është në shumë harmoni me legjislacionin e BE-së. 20 ligjet tona të fundit dhe shtatë tash në finalizim janë të gjitha duke transpozuar direktivat e BE-së për t’u integruar sa më herët në tregun e përbashkët Evropian, pastaj në fushën e turizmit kemi hartuar ligjet dhe aktet nënligjore, 10 gjithsej, ku pesë prej tyre janë hartuar edhe pesë të tjera në proces. Ligji është finalizuar dhe aprovuar, është hartuar strategjia tashmë në zbatueshmëri e sipër”.
“Për inovacion dhe ndërmarrësi tash në Qeveri për votim është Ligji për Inovacion dhe Ndërmarrësi që po fillojmë menjëherë më grant-skemën, por edhe funksionalizim të parqeve industriale teknologjike të cilat i kemi gjetur jofunksionale dhe vetëm të certifikuara me gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit me mos funksionalitet. E kemi adresuar përmes një analize të mirëfilltë të zonave ekonomike që t’i sjellim këto zona si zona në shërbim të biznesit, sa më efektive dhe të bazuara në treguesit e performances. Me 33 milion euro që kemi zotuar nga Qeveria, për këtë vit dhe dy vitet e ardhshme jemi duke i funksionalizuar të gjitha 10 zonat ekonomike në parqe industriale teknologjike, por edhe duke krijuar inkubatorë të rinj, qendra të industrisë, inovacionit në kuadër të universiteteve jo vetëm në kuadër të parqeve industriale, krejt kjo me qëllim për të sjellur sa më afër industrinë dhe akademinë, sistemin e arsimit”, ka thënë Hajdari për EO.
Tutje, Hajdari ka thënë se Kosova është në negociata për për tregtinë e shërbimeve me Zvicrën, Islandën, Norvegjinë, Litenshtajnin, në raundin e tretë dhe të katërt në shtator.
“Përveç tregtisë së mallrave kemi lansuar tash edhe negociata në raundin e tretë dhe të katërt në shtator, për tregtinë e shërbimeve me Zvicrën, Islandën, Norvegjinë, Litenshtajnin pastaj edhe me vendet e reja të BE-së, ku po hapim kapitujt për tregtinë e shërbimeve, jo vetëm të mallrave”.
Ajo ka shtuar se bizneset janë në rritje dhe se kanë nevojë për përkrahje, të cilën, sipas saj, e kanë marrë nga shumë dritare.
“Bizneset gjithmonë janë në rritje, kanë nevojë për përkrahje, janë përkrahur nga shumë dritare. Dritarja e fondit për garanci kreditore nga Qeveria, po ashtu nga agjencia KIESA janë qindra biznese të përkrahura. 1200 janë përkrahur vetëm nga fondi për garantimin e kredisë, ndërsa në skemën e fundit 170 dhe kështu me radhë. Gjithsej janë 499 biznese të përkrahura nga KIESA në fushën e blerjes së makinerive së certifikimeve të standardizimit, por tash presim edhe më shumë në fushën e inovacionit, si dhe po mundohemi për të punuar për një biznes të drejtë konkurrues dhe të adaptueshëm në situatën e tanishme të tregut me shumë ndryshime. Edhe në veri janë duke u aplikuar bizneset e reja për t’u formalizuar, po ashtu edhe pikat e reja të karburanteve që janë diku 40 apo më pak”, ka shtuar ministrja.