Sesioni pranveror i Kuvendit, IKD: Vendime në kundërshtim me Kushtetutën, deputetët dhe qeveria ndërhyn në drejtësi

E publikuar: 31/07/2024 13:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) të mërkurën ka publikuar gjetjet e monitorimit të punës së Kuvendit për sesionin pranveror 2024, për të cilin ka konstatuar se ka dështuar ta përmbushë rolin kushtetues.

IKD-ja ka thënë se edhe në vitet e kaluara, Kuvendi nuk e ka përmbushur rolin kushtetues. Për këtë, ka dhënë disa arsye.

“Sikurse, në vitet paraprake, edhe në sesionin pranveror të këtij vitit, puna e Kuvendit është karakterizuar nga mungesa e vazhdueshme e kuorumit, nga vendimmarrjet në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, në disa raste nga vendimmarrjet e kundërligjshme, nga cenimi i vazhdueshëm i institucioneve të pavarura me rastin e raportimit në mbledhjet e komisioneve parlamentare, nga ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë përmes deklaratave publike nga ana e deputetëve të Kuvendit dhe nga kabineti qeveritar, nga mungesa e transparencës së plotë në çështje kyçe të punës së kuvendit, nga mungesa e dobët e mbikëqyrjes parlamentare, nga injorimi i qeverisë përballë deputetëve dhe nga gjuha joparlamentare, seksiste, raciste, mizogjene dhe homofobe”, thuhet në gjetjet e IKD-së.

Gjetjet e IKD-së tregojnë se mungesa e kuorumit ka prodhuar mosefikasitet në punën e Kuvendit.