Raporti i DASH-it për Kosovën: Tensionet me Serbinë pengesë për investimet e huaja

E publikuar: 18/07/2024 22:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar raportin vjetor mbi Klimën e Investimeve, në më shumë se 160 ekonomi të botës përfshirë edhe Kosovën.

Pjesa për Kosovën e raportit vë në dukje se tensionet e vazhdueshme me Serbinë vazhdojnë të jenë pengesë për tërheqjen e investimeve të huaja.

“Një treg i brendshëm i vogël, ndonëse në rritje, integrimi i kufizuar rajonal dhe tensionet e vazhdueshme me Serbinë, vazhdojnë të jenë pengesat më të rëndësishme për tërheqjen e Investimeve të Huaja të Drejtpërdrejta”, thuhet në raport.

Në raport gjithashtu thuhet se Kosova ka marrë masa për të përmirësuar klimën e investimeve, me veprimet e qeverisë për të thjeshtuar regjistrimin e bizneseve dhe për të zvogëluar pengesat burokratike, por rritja ekonomike dhe produktiviteti vazhdojnë të kufizohen nga çështje strukturore, duke përfshirë një ekonomi të madhe joformale, varësinë nga remitencat për konsum dhe shkallën e lartë të papunësisë mes grave dhe të rinjve.

Po ashtu thuhet se politikat ndonjëherë tekanjoze ekonomike të qeverisë, ndërhyrja politike në ekonomi dhe dialogu i kufizuar publiko-privat, paraqesin gjithashtu sfida për investitorët.

“Investitorët i tërheq popullsia e re e Kosovës, kostoja e ulët e punës, afërsia me tregun e BE-së dhe burimet natyrore. Ndërprerjet globale të furnizimit të shkaktuara nga pandemia COVID-19 kanë ngjallur një interes më të madh nga disa biznese për ta përdorur Kosovën si bazë për prodhim që synon tregun e BE-së”, thuhet në raport.

DASH përkujton se FMN-ja dhe Banka Botërore parashikuan rritjen ekonomike prej gati 4 për qind për vitin 2024, por investimet e huaja mbeten të kufizuara, ndërsa dërgesat nga diaspora vazhdojnë të përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të bruto prodhimit vendor në Kosovë.