Paralajmëroi burgosjen e Vuçiqit nëse hyn në Kosovë pa leje, Sveçla: Është obligim i yni ta mbrojmë sovranitetin e shtetit

E publikuar: 17/07/2024 08:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Xhelal Sveçl Foto: Facebook

Xhelal Sveçl Foto: Facebook

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka folur për deklaratën e tij se nëse Vuçiq tenton të futet pa leje në Kosovë, do të arrestohet.

Sveçla tha se kjo është deklaratë mëse normale e një shteti sovran.

“Nuk mund të pretendojmë se nuk ka ndodhur Banjska, se s’ka ndodhur kidnapimi i policëve. Ne me vetëdije kemi vendosur që të kthejmë normalitetin në çdo cep të vendit, të vendosim ligjshmëri edhe në pjesë të tjera. Destruktiviteti i Serbisë duhet të luftohet jo vetëm nga ne, por edhe nga aleatët tanë.

Ka pasë deklarata, ftesa qëndrime që Vuçiq duhet të vijë në Kosovë. Deklarata ime ka qenë e zakonshme, është obligim i yni ta mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Është deklaratë mëse normale e një vendi të pavarur dhe sovran. Nëse Vuçiq pretendon me u futë në Kosovë me ushtri, ne do të përgjigjemi”, tha Sveçla në Euronews Albania.

Ai po ashtu është shprehur se autoritetet kosovare kanë prova se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka qenë drejtpërdrejtë i përfshirë në trajnimin e grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë të Zveçanit.

Sveçla tha se Kosova i ka të gjithë skenarët dhe përgatitjet e duhura për t’iu përgjigjur agresionit të mundshëm serb.

“Kishim fatin të mblidhnim shumë dëshmi lidhur me grupin terrorist. Tani e dimë se para sulmit në Banjskë, ky grup është trajnuar në një poligon zyrtar ushtarak të Serbisë. Së fundi vuçiç vizitoi këtë poligon, ku ushtria e rregullt serbe pati një trajnim ushtarak. Kemi incizimet, kemi pranim dorëzimet e armatimit nga magazinat e ushtrisë për këtë grup terrorist, tha Sveçla.

“Kemi informata inteligjente, dëshmi gojore, që tregojnë se Vuçiq ishte drejtpërdrejtë i përfshirë në trajnimin e këtij grupi. Kemi të gjitha dëshmitë. Është tjetër nëse dëshirojmë t’i injorojmë apo minimizojmë. Ne për këto arsye kemi pasur edhe takime të Këshillit të Sigurisë. Ne kemi skenarët, përgatitjet dhe mobilizimin e kapaciteteve tona për t’iu përgjigjur çdo lloj agresioni të grupeve terroriste të financuara nga Serbia”.

Ai tha gjithashtu se gjatë qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, është punuar që situata në Veri të Kosovës t’i kthehet normalitetit.

“Ne po punojmë që 17 % e territorit të Kosovës t’i kthehet normalitetit. Të gjithë e dimë se për 22-23 vite situata në veri të Kosovës, në 4 komunat veriore nuk ka qenë normale. Ka qenë një agresion i hapur i Serbisë përmes instrumenteve të saj, që është shpërfaqur herë shumë agresive, duke shtypur popullin shqiptar atje, si në vitin 2000 kur u shpërngulën nga Mitrovica e Veriut 11 mijë shqiptarë e u vranë 11 persona”, tha Sveçla.