Nga Brixhilda Xhuraj
Ismail Kadare ishte romancieri dhe poeti shqiptar që i vetëm e futi atdheun e izoluar ballkanik në hartën e letërsisë botërore – duke krijuar vepra shpesh të errëta, alegorike që kritikonin në mënyrë indirekte shtetin totalitar të vendit.
Vdekja e tij u konfirmua nga Bujar Hudhri, kreu i Shtëpisë Botuese Onufri, i cili tha se ai pësoi arrest kardiak në shtëpinë e tij dhe vdiq në një spital në Tiranë.
Në një karrierë letrare që zgjati gjysmë shekulli, Kadare shkroi një sërë librash, duke përfshirë romane dhe përmbledhje me poezi, tregime të shkurtra dhe ese.
Ai fitoi famë ndërkombëtare në vitin 1970 kur romani i tij i parë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, u përkthye në frëngjisht.
Kritikët evropianë e përshëndetën atë si një kryevepër.
Emri i Kadares u përfol disa herë për çmimin Nobel.
Në vitin 2005, ai mori çmimin inaugurues “Man Booker International Prize” (tani Çmimi Ndërkombëtar Booker), që i jepet një shkrimtari të gjallë të çdo kombësie për arritje të përgjithshme në letërsi.
Finalistët përfshinin titanë të tillë letrarë si Gabriel García Márquez dhe Philip Roth.
Në dhënien e çmimit, John Carey, një kritik britanik dhe kryetar i panelit, e quajti Kadarenë “një shkrimtar universal në një traditë të tregimit që shkon prapa tek Homeri”.
Kritikët shpesh e krahasonin Kadaren me Kafka-n, Kundera-n dhe Orwell-in.
Gjatë tre dekadave të para të karrierës së tij, ai jetoi dhe shkroi në Shqipëri, në atë kohë nën kontrollin e një prej diktatorëve më brutalë të bllokut lindor, Enver Hoxhës.
Për t’i shpëtuar persekutimit në një vend ku më shumë se 6 mijë disidentë u ekzekutuan dhe rreth 168 mijë shqiptarë u dërguan në burgje ose kampe pune, Kadare eci në fije të perit.
Ai shërbeu për 12 vjet si deputet në Kuvendin Popullor të Shqipërisë dhe ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të regjimit.
Disa nga veprat e tij më të shkëlqyera, duke përfshirë “Pallati i ëndrrave” (1981), sulmuan në mënyrë subversive diktaturën, duke anashkaluar censurën përmes alegorisë, satirës, mitit dhe legjendës.
Kadare “është një interpretues suprem fiktiv i psikologjisë dhe fizionomisë së shtypjes, shkruante Richard Eder në “The New York Times” në 2002.
A photo of the book “The General of the Dead Army.” An illustration on the front shows a dead bird in a half-open wooden box.
Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936, në qytetin jugor të Shqipërisë, Gjirokastër.
Babai i tij, Halit Kadare, ishte nëpunës civil; nëna e tij, Hatixhe Dobi, ishte shtëpiake nga një familje e pasur.
Kur komunistët e Hoxhës morën kontrollin e Shqipërisë në vitin 1944, Ismaili ishte 8 vjeç dhe tashmë po zhytej në letërsinë botërore.
“Në moshën 11-vjeçare kisha lexuar Makbethin, që më kishte goditur si rrufe, dhe klasikët grekë, pas të cilave asgjë nuk kishte fuqi mbi shpirtin tim”, kujtoi ai në një intervistë të vitit 1998 me “The Paris Review”.
Megjithatë, si adoleshent, ai ishte i tërhequr nga komunizmi.
“Kishte një anë idealiste në të”, tha ai.
“Ju mendonit se ndoshta disa aspekte të komunizmit ishin të mira në teori, por mund të shihnit se praktika ishte e tmerrshme”.
Pas studimeve në Universitetin e Tiranës, në kryeqytetin shqiptar, Kadare u dërgua për studime pasuniversitare në Institutin Gorki për Letërsinë Botërore në Moskë, të cilin më vonë e cilësoi si “fabrikë për fabrikimin e ideve dogmatike të shkollës së socialist-realizmit”.
Në vitin 1963, rreth dy vjet pas kthimit të tij nga Moska, në Shqipëri u botua “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Në roman, një gjeneral italian kthehet në malet e Shqipërisë 20 vjet pas Luftës së Dytë Botërore për të zbërthyer dhe riatdhesuar trupat e ushtarëve të tij; është një histori e Perëndimit të përparuar që hyn në një tokë të çuditshme, të sunduar nga një kod i lashtë gjakmarrjeje.
Kritikët pro-qeveritar e dënuan romanin si shumë kozmopolit dhe se nuk shprehte urrejtje të mjaftueshme për gjeneralin italian, por ai e bëri Kadaren një personazh të famshëm kombëtar.
Në vitin 1965, autoritetet ndaluan romanin e tij të dytë, “Përbindëshi”, menjëherë pas botimit të tij në një revistë.
Në vitin 1970, kur “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” u botua në një përkthim frëngjisht.
Dalja e papritur e Kadares tërhoqi vëmendjen e vetë diktatorit.
Për të qetësuar regjimin, Kadare shkroi “Dimri i madh” (1977), një roman që festonte ndarjen e Hoxhës me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961.
Kadare tha se kishte tre zgjedhje: “Të përputhesha me bindjet e mia, që do të thoshte vdekje ; heshtje e plotë, që nënkuptonte një lloj tjetër vdekjeje; ose të paguante një haraç”.
Ai zgjodhi zgjidhjen e tretë, tha ai, duke shkruar “Dimri i Madh”.
Në vitin 1975, pasi Kadare shkroi “Pashallarët e Kuq”, një poezi që kritikonte anëtarët e Byrosë Politike, ai u dëbua në një fshat të largët dhe u ndalua të botonte për njëfarë kohe.
Përgjigja e tij erdhi në vitin 1981, kur ai botoi “Pallati i ëndrrave”, një kritikë ndaj regjimit.
I vendosur gjatë Perandorisë Osmane, ai portretizon një burokraci të madhe të përkushtuar për të mbledhur ëndrrat e qytetarëve, duke kërkuar për shenja mospajtimi.
Romani ishte i ndaluar në Shqipëri, por jo para se të shitej.
Suksesi i Kadaresë jashtë vendit i dha atij njëfarë sigurie në vend.
Megjithatë, tha ai, ai jetonte me frikën se regjimi mund të “më vriste dhe të thoshte se ishte një vetëvrasje”.
Për të mbrojtur veprën e tij nga manipulimi në rast vdekjeje, Kadare nxori jashtë Shqipërisë dorëshkrime kontrabandë në vitin 1986, duke ia dorëzuar botuesit të tij francez, Claude Durand.
Botuesi nga ana e tij përdori udhëtimet e tij në Tiranë për të kontrabanduar shkrime shtesë.
Loja si macja me miun në të cilën regjimi publikonte dhe ndalonte me radhë veprat e Kadares vazhdoi pas vdekjes së Hoxhës në vitin 1985, derisa Kadare u arratis në Paris në 1990.
Pas rënies së regjimit, Kadare u sulmua nga kritikët antikomunistë, si në Shqipëri ashtu edhe në Perëndim, të cilët e portretizuan atë si një përfitues dhe madje një mbështetës aktiv të shtetit stalinist.
Në vitin 1997, kur emri i tij përmendej për çmimin Nobel, një artikull në “Weekly Standard” i kërkoi komitetit të mos i jepte atij çmimin për shkak të “bashkëpunimit të ndërgjegjshëm” të tij me regjimin e Hoxhës.
Kundër kritikave të tilla, Kadare botoi disa libra autobiografikë në vitet 1990, ku sugjeronte se nëpërmjet letërsisë së tij i kishte rezistuar regjimit, shpirtërisht dhe artistikisht.
“Sa herë që shkruaja një libër”, tha ai në intervistën e vitit 1998, “kisha përshtypjen se po i fusja një kamë diktaturës”.
Duke shkruar në vitin 1997 në “The New York Review of Books”, Noel Malcolm, një historian i Oksfordit, vlerësoi “dendësinë atmosferike” dhe “përshtatshmërinë poetike” të shkrimit të Kadares, por e qortoi mbrojtjen e tij me kritikët.
Në një përgjigje të hollë, Kadare e akuzoi Malcolm për shfaqjen e arrogancës kulturore ndaj një autori nga një vend i vogël.
“Të marrësh një liri të tillë me një shkrimtar vetëm sepse ai vjen nga një vend i vogël do të thotë të zbulosh një mentalitet kolonialist”, shkroi Kadare në një letër drejtuar “The New York Review of Books”.
Pas rënies së komunizmit, Kadare vazhdoi t’i vendoste romanet e tij mes dyshimit dhe terrorit të regjimit të Hoxhës.
Megjithatë, disa portretizuan shqiptarët që jetonin në Evropën e shekullit të XXI-të, por ende të përhumbur nga gjakmarrja, legjendat dhe mitet e kombit të tyre.
Veprat e tij më të njohura përfshijnë “Kronikë në gur” (1971); “Ura me tre harqe” (1978); “Vajza e Agamemnonit” (1985); vazhdimi, “Pasardhësi” (2003); dhe “Aksidenti” (2010).
Të gjitha veprat e tij ndanin një forcë, shkroi Charles McGrath në “The Times” në 2010.
Kadare është “me sa duket i paaftë për të shkruar një libër që dështon të jetë interesant”.
Në vitin 2005, pasi fitoi Çmimin Ndërkombëtar Booker, Kadare tha: “I vetmi akt i mundshëm i rezistencës në një regjim klasik stalinist ishte të shkruante”.
Marrë nga “New York Times”
/Albanianpost.com