Ministri izraelit: Marrëveshja për heqjen e vizave, dëshmi e mëtejshme e forcimit të lidhjeve mes Izraelit dhe Kosovës

E publikuar: 18/06/2024 20:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Izrael-Kosovë

Moshe Arbel, ministri i Punëve të Brendshme të shtetit të Izraelit, ka thënë se për të është një nder i madh që është i pranishëm në ngjarjen që u organizua nga ambasada izraelite në Kosovë për të shënuar nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet shtetit të Izraelit dhe Kosovës për heqjen e vizave dhe për të shënuar 76-vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Shtetit të Izraelit.

Ai para të pranishmëve ka shtuar se kjo marrëveshje është një dëshmi e mëtejshme e forcimit të lidhjeve midis shteteve dhe angazhimit të përbashkët për të nxitur bashkëpunimin dhe miqësinë mes qytetarëve, rreth tre vjet pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes vendeve tona.

“Marrëdhëniet ndërmjet Izraelit dhe Kosovës janë zhvilluar në mënyrë mbresëlënëse në tre vjetët e fundit dhe përfshijnë zhvillimin e bashkëpunimit në fushat e inovacionit, shëndetësisë, ekonomisë, kulturës, arsimit dhe fushave të tjera. Ne besojmë se heqja e vizave do të jetë një tjetër pikë kthese në këtë marrëdhënie të veçantë dhe do të çojë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve turistike midis shteteve tona”.

“Izraeli është një vend i pasur me histori, kulturë dhe bukuri natyrore, dhe ne jemi të lumtur t’i presim qytetarët e Kosovës dhe t’i ekspozojmë ata ndaj gjithçkaje që ofron vendi ynë. Gjithashtu, inkurajojmë qytetarët e Izraelit që të vizitojnë Kosovën dhe të zbulojnë peizazhet e saj të bukura, kulturën e saj të pasur dhe ngrohtësinë dhe mikpritjen e banorëve të saj”, ka pohuar Arbel.