Një artikull i gazetës amerikane “New York Times”, që fliste për një pretendim se ishte kryer një krim nga njerëz të UÇK-së në Bardh të Madh, ka ngjallur sot përplasje e debate mes mbrojtjes, prokurorisë dhe gjyqtarëve në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.
Gjithçka ishte për shkak se artikulli dhe vet ngjarja as nuk janë pjesë e aktakuzës së prokurorisë kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por prokuroria tentoi t’ua vë si barrë katër të akuzuarve, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Këtë artikull e solli në vëmendje prokuroria teksa po e merrte në pyetje dëshmitarin e radhës, gazetarin Nuhi Bytyçi. Prokuroria e pyeti Bytyçin për disa xhirime që kishte bërë ai tek një mihje e prodhimit të thëngjillit, që UÇK-ja e kishte marrë nën kontroll. Aty gazetari kishte bërë xhirime të Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit, kur territori ishte nën kontroll të UÇK-së. Bytyçi tha se ata shkuan aty pas betejës për të parë gjendjen në terren dhe se pamjet shkuan edhe në mediat ndërkombëtare. Por, prokurori u ndal në diçka tjetër, krejt jashtë aktakuzës, e që ngjalli debat të madh në sallë.
Prokurori Halling e pyeti Bytyçin nëse kishte parë një artikull të gazetës New York Times të asaj kohe, për një krim të pretenduar.
“Nëntë pengje që u morën nga UÇK-ja, besohet se janë vrarë pasi forcat serbe rimorën në kontroll mihjen e rëndësishme të thëngjillit e cila më parë ishte marrë në kontroll nga rebelët shqiptarë. Pra, ju nuk keni dëgjuar që këta persona nga Bardhi i Madh të jenë vrarë?”, pyeti prokuroria.
“Nuk kam dëgjuar as atëherë, as deri më sot nuk kam dëgjuar për këtë”, u përgjigj Bytyçi.
Kur prokurori deshi të insistojë në këtë temë, ndonëse dëshmitari nuk dinte asgjë, reaguan avokatët. Luka Misetiq, që e mbron Hashim Thaçin, tha se prokuroria po sjellë këtu materiale e raste që as nuk janë në aktakuzë.
“A mund të flasim pak, të na thotë prokuroria çfarë relevance kishte kjo sepse po përpiqem ta gjejë në dosjen paragjyqësore ku është përmendur?”, tha ai.
Prokurori Matt Halling u përgjigj, dhe për më tepër deklaroi se çështje qendrore në këtë gjykim janë “krimet e kryera nga UÇK-ja”. Kjo ishte deklarata e tij:
“Njoftimi i të akuzuarve nëse ka ndodhur, ka kryer krime UÇK-ja është çështje qendrore në këtë gjykim. Dhe njësoj si rasti i ofensivës së Rahovecit që ka ndodhur shkurtimisht pas ngjarjeve në Bardhin e Madh ekzistojnë shumë pretendime që janë kryer krime nga UÇK-ja në këtë zonë dhe janë kryer në fillimin e periudhës kohore të ngritur në aktakuzë dhe vet dëshmitari e ka vërtetuar dhe ne themi që UÇK-ja ka qenë në gjithë këto zona gjatë gjithë periudhës kohore të përmendur në aktakuzë”.
Dhe pas kësaj, reagoi sërish Misetiq, duke thënë se është absurde të pranohet një artikull gazete, aq më tepër për një ngjarje që as nuk është në aktakuzë.
“Por ne po themi pra që nuk është e përmendur kjo në aktakuzë, ky incident konkret nuk është i përmendur në aktakuzë. Nuk jemi njoftuar ne si mbrojtje siç duhet sa i takon faktit që është hetuar ky incident dhe ata po përpiqen që të përfshijnë drejtpërdrejtë të akuzuarit në një incident të papërmendur në aktakuzë”, tha Misetiq.
E më pas, në këmbë u ngrit edhe Ben Emmerson, avokati i Kadri Veselit, duke thënë se këtu nuk ka asnjë provë dhe as nuk është ngjarja e pretenduar në aktakuzë dhe për më tepër dëshmitari po përdoret qëllimshëm. Emmerson madje tha se pretendimet në atë artikull mund të jenë të forcave serbe dhe të fabrikuara, siç ka ndodhur shpesh.
“Unë dua që zoti Halling ta vërtetojë që është kryer krimi dhe të vërtetojë që udhëheqja ka pasur njohuri dhe ka pasur autoritetin për t’i parandaluar e ndëshkuar krimet e tilla. Tani këtu, në këtë rast ka disa pretendime, asnjë provë nuk ka prokuroria që ka ndodhur kjo, janë thjeshtë pretendime. Dhe të thuash, të pranojmë artikuj gazete për vërtetësinë që ka ndodhur krimi, është absurde, sepse kjo nuk është në aktakuzë, këto janë copa gazete, kjo nuk është aspak e logjikshme”, tha ai.
“Ata po përdorin dëshmitarin si një mjet për t’i treguar copa video, për të identifikuar persona, data dhe pyetja e fabrikuar apo e qëllimshme që i bënë atij që a i kishte parë ai raportet në mediat ndërkombëtare, të bazuara këto në pretendimet e forcave serbe për krimet që mund të kenë ndodhur, që në fakt ka ndodhur shpesh nga forcat serbe që kanë thënë dhe kanë fabrikuar prova dhe dëshmitari u tha jo”, shtoi Emmerson.
Nga ana tjetër, reagoi sërish Luka Misetiq, duke thënë se pranimi i një prove të tillë do të ishte një cenim i të drejtave të të akuzuarve.
“Duke pranuar materialet ju cenoni të drejtat e të akuzuarve dhe në fakt zhbëhet vlera provuese në këtë rast. Ju po thoni që dëshmitari nuk po thotë të vërteten për një ngjarje, por ama prokuroria nuk e vërteton dot se ka ndodhur kjo ngjarje, por është mbështetur në një artikull gazete sepse kjo ngjarje nuk është fare e përmendur në aktakuzë. Ku e dini ju që kjo nuk është propagandë serbe, ku e dimë ne që kjo ka ndodhur në të vërtetë, pra vlera provuese këtu është shumë e zbehtë, dhe prokuroria po synon të baltosë këta katër të akuzuar dhe të thotë që kanë qenë drejtpërdrejtë të përfshirë në atë zonë”, tha ai.
Dhe derisa prokuroria po pretendonte se pranimi i këtij artikulli bazohej edhe në rregullat e gjykatës, Ben Emmerson reagoi sërish, duke shtuar se nëse vazhdon kështu, atëherë ky do të jetë një gjykim bazuar në copa gazetash.
“Këtu nuk kemi fakte, si mundet të merret një artikull në media dhe të përdoret si provë që ka ndodhur një ngjarje dhe bazuar në këtë artikull gazete të bëhet një lidhje me këta të akuzuar sepse kanë dalë në fotografi disa javë më përpara në të njëjtin vend, në një vend të ngjashëm, këtu nuk po flasim për metafizikë por ky është një proces komplet jo i logjikshëm. Nëse prokuroria vazhdon në këtë mënyrë, atëherë do të kemi gjykim të bazuar në copa gazetash”, tha ai.
Paneli pranoi përkohësisht artikullin si provë për vërtetësinë e dëshmitarit për të marrë më vonë një vendim final.