Rama pas miratimit të planit rregullues për “Kalabrinë”: Ditë e madhe për kryeqytetin

E publikuar: 03/06/2024 22:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas një diskutimi maratonik rreth 12-orësh, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka votuar planin e hollësishëm rregullues 2024-2032 për lagjen “Kalabria” në kryeqytet

Sot në seancën e Kuvendit Komunal të Prishtinës me 24 vota për ka kaluar plani rregullues për lagjen “Kalabria” në Prishtinë.

E këtë miratim të planit rregullues të lagjes “Kalabria”, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka quajtur “ditë e madhe për Kalabrinë e kryeqytetit.

“Ditë e madhe për Kalabrinë e Kryeqytetin. Uroj qytetarët e Lagjes Kalabria dhe të gjithë Kryeqytetit për miratimin e Planit Rregullues të Lagjes “Kalabria”. Vazhdojmë tutje me transformimin e Kryeqytetit!”, ka shkruar Rama.

Banorët e lagjes “Kalabria” në Prishtinë, gjatë protestës së mbajtur sot para Komunës së Prishtinës kanë kërkuar që koeficienti i lagjes nga 1.5 të bëhet në 2.4, në mënyrë që të ketë një barazi për të gjitha pronat publike dhe private në Kalabri.

Në seancën e kaluar të mbajtur në Kuvendin Komunal të Prishtinës, i pari i kryeqytetit Përparim Rama, ka premtuar që koeficienti të rritet në 2.4, por pas premtimeve të tij ai është shprehur që koeficienti në pjesën e stacionit të autobusëve në këtë lagje të bëhet 7.0, ndërsa një pjesë tjetër të mbetet 1.5, koeficient të cilin nuk po e pranojnë banorët e kësaj lagjeje.

PDK: Akshampazari i koeficientave

Ndërsa nënkryetarja e PDK-së, Besianë Musmurati, ka reaguar pas kalimit të planit rregullues për “Kalabrinë”.

“Akshampazari i koeficientave – 15 hektarë të pronës publike te Stacioni i Autobusëve në Kalabri u falën për ndërtim nga Përparim Rama dhe Lëvizja Vetëvendosje! Deri në këtë orë të vonë, në zyre të Përparim Ramës u negociua koeficienti i ndërtimit për pronën publike. Jo për shërbime publike, jo për qytetarë por për kompani të ndërtimit. Ajo çka ndodhi në Badoc, u përsërit sonte në Kalabri! Që nga fillimi bëmë të ditur që ky plan kishte probleme të mëdha, dhe më vjen mirë që edhe njëherë asambleistët e PDK – Dega Prishtinë po tregojnë para Prishtinës që jemi kundër keqtrajtimit të pronës publike në dëm të qytetarëve e në favor të kompanive të ndërtimit. Falënderojmë qytetarët që po na shkruajnë mesazhe dhe po e mbështesin qëndrimin tonë kundër pazareve të tokave të ndërtimit”, ka shkruar Musmurati në Facebook.