Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në diskutimin “Forcimi i partneriteteve për sigurinë kombëtare”.
Ai ka thënë se zhvillimi i industrisë së mbrojtjes është një nga parakushtet bazë për plotësimin e infrastrukturës së mbrojtjes së vendit.
“Zhvillimi i industrisë së mbrojtjes është një nga parakushtet bazë për plotësimin e infrastrukturës së mbrojtjes së një vendi. Sidomos për vendin tonë dhe kohën në të cilën po kalojmë karshi sfidave rajonale dhe globale të sigurisë. Andaj për të dëgjuar dhe zëra e akterë të tjerë në publik për këtë temë, me ftesë të Odës Amerikane të Kosovës, iu bashkova në diskutim tryezës “Forcimi i partneriteteve për sigurinë kombëtare”.”
Maqedonci ka thënë se kanë diskutuar rreth ambientit global të sigurisë, sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe nevojës për zhvillim të industrisë së mbrojtjes.
“Në një bashkëbisedim të hapur me Drejtorin Ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, z. Arian Zeka, si dhe anëtarë të tjerë të kësaj ode , diskutuam rreth ambientit global të sigurisë, sigurisë në regjionin e Ballkanit Perëndimor dhe nevojës për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në vend me qëllim përballimin e sfidave të ardhshme të sigurisë.”
Ai ka shkruar se “bashkëpunimi me sektorin privat është një nga elementet e rëndësishëm për zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes së vendit dhe një partner potencial për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes së vendit tonë”.