Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka ndryshuar një pjesë të raportit të tij, ku pretendohej se KFOR-i ishte përfshirë në negociatat për largimin e terroristëve serbë në Banjskë të Zveçanit.
GNK-ja pranoi se versioni origjinal përmbante “deklaratë të gabuar” në lidhje me këtë çështje. Ky informacion do të referohej në një draft-raport të planifikuar për miratim nga Asambleja Parlamentare e NATO-s.
Në raportin e Komitetit për Mbrojtje dhe Siguri, pika 51, duke cituar Grupin Ndërkombëtar të Krizave, thuhet ndër të tjera se KFOR-i negocioi tërheqjen për në Serbi të rreth 30 sulmuesve paraushtarak e terroristë që udhëhiqeshin nga kryeorganizatori i sulmit, Milan Radojçiq.
“Pas një periudhe të shkurtër deeskalimi gjatë verës, në shtator 2023, rreth 30 persona të armatosur u përleshën me policinë në Banjska në veri të Kosovës dhe u barrikaduan brenda një manastiri ortodoks serb, duke rezultuar në një rrethim që vrau një oficer policie dhe tre sulmuesit ( Dunai, 2023). Zyrtarët e KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës tjetër të grupit në pyjet përreth, në të cilat ata u zhdukën (ICG, 2024)”, thuhej në këtë raport.
“Një përplasje e tensionuar pasoi midis grupit dhe policisë speciale të Kosovës që i rrethonte. Nga frika e një gjakderdhjeje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit në pyjet përreth, nga të cilat ata u shkrinë. Kosova beson se deri në 200 luftëtarë të tjerë ishin fshehur në atë kohë në pyllin e dendur midis Banjskës dhe kufirit serb”.
Këtë raport e demantoi KFOR-i, duke e quajtur “të pasaktë” këtë pretendim.
Pas kësaj, Grupi Ndërkombëtar i Krizave ndryshoi këtë pjesë të raporti.
“*Ky tekst u përditësua më 28 maj 2024. Versioni origjinal i këtij raporti gabimisht deklaroi se personeli i KFOR-it negocioi tërheqjen e grupit të armatosur serb nga bllokimi në Banjskë.” – thuhet në fusnotën që sqaron përmirësimin.