Sadri Ferati dështon në nëndegë

E publikuar: 17/04/2015 22:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari aktual i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, Sadri Ferati ka dështuar që në hapat e parë në garën për zgjedhjet e brendshme partiake. Ai ka dështuar që të zgjidhet si delegatë në nëndegën Iliriada.

Në listën prej 12 delegatëve sa ka qenë e paraparë, Ferati nuk ka qenë fare si propozim. Kryetar i kësaj nëndege është bërë Tafil Peci, duke e mundur kështu krahun e Sadri Feratit.
Kështu i kanë thënë Gazetës Blic burime brenda LDK-së në këtë degë.

Sipas këtyre burimeve, nipat e Sadri Feratit, kur e kanë parë që daja i tyre ka humbur keq, kanë kërcënuar edhe me armë. Madje, sipas burimeve të Gazetës Blic që kanë qenë prezent në këtë rast, mësohet se ata kanë kërcënuar se nëse Sadri Ferati nuk do të futet si delegat, do të “derdhet gjaku deri në gu”.
Pas këtij kërcënimi, si zgjidhje kompromisi, kryetari i ri i nëndegës e ka futë si delegatë rezervë Sadri Feratin, dhe se ka paralajmëruar se duhet tërhequr një delegatë.

“Sadri Ferati, ndërkaq, ka marrë vendim në kryesi të degës që delegati që është në mënyrë të njëanshme ta largoj. Këtu është bërë shkelje ngase Kryesia e Degës nuk mund të vendos se kush është delegatë e kush jo. Për këtë vendos Kuvendi”, tha ky burim.
Siç mëson Gazeta Blic, Sadri Ferati është duke u munduar që Safet Kamberin, ta sjellë në krye të kësaj dege, dhe kësisoj edhe më tutje të mbaj kontrollin në këtë degë.

Ndërkaq, në anën tjetër, kundërkandidati më serioz i Kamberit, është Faton Peci, i cili sipas burimeve të Gazetës Blic është në avantazh dhe ka përkrahjen më të madhe të anëtarësisë së partisë.

Një ditë para mbajtjes së kuvendit të kësaj dege, situata është shumë e tensionuar kanë thënë burime të Gazetës.
Mirëpo, lufta e Sadri Feratit dhe klanit të tij, për ta mbajtur edhe më tutje udhëheqësinë e degës nuk përfundon me kaq. Gazeta Blic merr vesh se edhe Policia është implikuar në këtë proces, duke u shkuar nëpër shtëpi delegatëve.
Sipas burimeve të Gazetës Blic janë hiq më pak se tri raste kur policia ka shkuar nëpër shtëpitë e delegatëve për
të bërë presion.

“Rasti i fundit është kur një polic me uniformë (emër i njohur për redaksinë) ka shkuar në shtëpitë e njërit prej delegatëve duke “rekomanduar” se duhet votuar kandidati i Sadri Feratit”, tha ky burim.