Dështimi i Kosovës në KiE, Gërvalla thotë se oferta për ta shkruar Draftin s’vlen më

E publikuar: 17/05/2024 14:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas dështimit që sot Kosova të anëtarësohet në Këshill të Evropës ka reaguar edhe kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz, e cila me qëllim të bindjes së aleatëve për të marrë përkrahje u zotua që Kosova do ta shkruaj një Draft për Asociacionin dhe të njëjtin do ta dorëzojë në Kushtetuese në fund të muajit maj.

Gërvalla ka thënë se Kosova s’është fundut në agjendën e sotme dhe s’kanë marrë as vendim për thirrje të një mbledhje të jashtëzakonshme për anëtarësimin pa vonesë të Republikës së Kosovës.

Kryediplomatja ka thënë se kjo është në shpërputhje me thirrjen e Asamblesë Parlamentare të KiE, që në opinionin e saj ka thënë se Kosova duhet të anëtarësohet pa parakushte shtesë. Gërvlla kushtin për Asociacionin e ka quajtur të vonshëm, jofromal dhe arbritrar.

Gërvalla ka thënë se duke qenë se oferta e Kosovës s’u morr parasysh, ajo ofertë për të shkruar Draftin, e humbi vetëvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotme të Komitetit të Minsitrave.

“Anëtarësimi i Republikës së Kosovës nuk mund të ndalet, edhe nëse vonohet për shkak të ndonjë kundërshtari të Kosovës apo lobimit të Serbisë. Jemi në rrugë të drejtë dhe po bëjmë punë të mbarë.Nuk kemi lënë gur pa lëvizur, gjithnjë përbrenda kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, për interesin e Kosovën”, ka shkruar kryediplomatja.

Reagimi i plotë i ministres Donika Gërvalla:

Në ministerialin e sotëm të Këshillit të Evropës, i cili shënoi 75-vjetorin e themelimit të organizatës më të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kontinentin tonë, kishte intervenime nga shtete të ndryshme anëtare të cilat kërkuan anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Megjithëse sot ishte dita kur do të duhej të votohej anëtarësimi ynë në këtë organizatë dhe në këtë formë të dërgohej një mesazh i fuqishëm për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në 75-vjetorin e themelimit të Këshillit të Evropës dhe në vigjilje të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare nuk e futën në agjendën e sotme dhe nuk morën vendim për thirrjen e një mbledhje të jashtëzakonshme për anëtarësimin pa vonesë të Republikës së Kosovës.

Ky qëndrim është në shpërputhje me thirrjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila në Opinionin e saj tha se Kosova duhet të anëtarësohet, pa parakushte shtesë. Duke qenë se vendit i ishte vendosur një parakusht i vonshëm, joformal e arbitrar, Qeveria e Republikës së Kosovës bëri një propozim dje (përmes një oferte të shënuar në një komunikim përmes letres drejtuar KiE-së) të arsyeshëm për tejkalimin e bllokadës që kishte krijuar ky parakusht i fundit. Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh. Rrjedhimisht ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave.

Megjithatë, në vend të Opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe një propozimi të arsyeshëm e serioz nga Qeveria e Kosovës, disa vende anëtare zgjodhën t’i dalin në krah padrejtësive dhe t’i japin mbështetje fushatës lobuese të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës, duke privuar kështu qytetarët e Republikës së Kosovës nga të drejtat dhe mundësitë që ofrojnë mekanizmat e kësaj organizate, veçanërisht për komunitetet e pakicës etnike dhe komunitetet e tjera të margjinalizuara.

Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e kushtet për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE). Nga opinioni i Departamentit Ligjor të Këshillit të Evropës që konfirmon se nuk ka asnjë pengesë ligjore për anëtarësim si shtet evropian, nga votimi i ambasadorëve më 24 prill 2023 me 33 vota për nga 46 sosh, nga raporti pozitiv i tre juristëve eminentë te raporti i raportueses Dora Bakoyannis, nga dy mbledhjet e Këshillit për Çështje Politike e Demokraci (në Paris me 27 mars dhe në Strasbourg më 16 prill 2024) e deri te votimi i Asamblesë Parlamentare më 16 prill 2024 me 131 vota për, kundrejt 29 kundër. Anëtarësimi i Republikës së Kosovës nuk mund të ndalet, edhe nëse vonohet për shkak të ndonjë kundërshtari të Kosovës apo lobimit të Serbisë. Jemi në rrugë të drejtë dhe po bëjmë punë të mbarë.

Nuk kemi lënë gur pa lëvizur, gjithnjë përbrenda kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, për interesin e Kosovën.