Hoti: Qeveria Kurti duhet të largohet nga pushteti

E publikuar: 14/05/2024 17:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Avdullah Hoti

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar se Qeveria Kurti duhet të largohet nga pushteti, pasi sipas tij, ka sjell një draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe “që i ngjason një krijese sikurse Bosnjë”.

Ai ka shkruar në Facebook të martën se opozita që kokëton me të “nuk dallon nga ta dhe nuk meriton të mbështetet”.

“Në vend se të kapeshin fort në parimet e dialogut për njohje, të zhvilluara nga qeveria e mëparshme e që respektoheshin nga aleatët, këta e degraduan pozitën e Kosovës në dialog dhe në skenën ndërkombëtare. Sot, e gjithë bota demokratike pa përjashtim na bën presion për themelim të asociacionit sipas draft-statutit që thirret në rezolutën 1244, që legjitimon strukturat ilegale serbe e që anashkalon Kushtetutën e Kosovës në adresimin e kontesteve ligjore”, ka thënë Hoti.

Deputeti i LDK-së ka shtuar se pushteti aktuale e ka pranuar draftin e tash s’mund t’i thotë jo, duke theksuar se po kërkon të ikën nga qeverisja “duke e futur opozitën në lojë se gjoja është paralizuar Kuvendi”.

“Nga tetori 2023, këta e kanë pranuar draftin. Nuk janë të zotë t’i thonë jo. Tani kërkojnë të ikin nga qeverisja duke e futur opozitën në lojë se gjoja është paralizuar Kuvendi. Nëse bëhen bashkë si koalicion, me një pjesë të opozitës votohen edhe marrëveshjet ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Nëpërmjet një komunikate për media, LDK-ja ka deklaruar se zgjidhja e vetme është dorëheqja e kryeministrit Albin Kurti dhe shpërbërja e Kuvendit. Ajo ka shtuar se nuk do të bëhet pjesë e asnjë marrëveshjeje.