Dikur mendohej se pirja në nivel të moderuar e alkoolit ofronte përfitime për zemrën, por përmirësimi i metodave të studimit e ka hedhur poshtë këtë.
“Pirja në sasi të vogël e alkoolit është një mënyrë e mirë e përmirësimit të shëndetit”, thotë Dr. Timothy Naimi, i cili drejton Institutin Kanadez mbi Studimin e Përdorimit të Substancave në Universitetin e Viktorias në Kolumbian Britanike.
A PO NDRYSHOJNË UDHËZIMET PËR PIRJEN E ALKOOLIT?
Udhëzimet ndryshojnë shumë nga vendi në vend, por ka një prirje të përgjithshme të pakësimit të konsumit të alkoolit.
Britania, Franca, Danimarka, Holanda dhe Australia së fundmi shqyrtuan prova të reja dhe ulën rekomandimet e tyre për konsumimin e alkoolit. Duke filluar nga viti 2026, Irlanda do ta bëjë të detyrueshme përfshirjen e paralajmërimit për kancer në etiketat e pijeve alkoolike.
“Konsensusi shkencor është zhvendosur për shkak të provave të shumta që lidhin alkoolin me mbi 200 sëmundje, përfshirë kancerin, sëmundjet kardiovaskulare dhe plagosjet”, thotë Carina Ferreira-Borges, këshilltare rajonale për alkoolin në zyrën rajonale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën.
Banakierët e restoranteve janë bërë gjithnjë e më novatorë me koktejet joalkoolike, duke mbështetur prirjen kulturore për ulje të konsumimit të alkoolit.
“Njerëzit e moshës sime i kuptojnë më mirë tani ata që nuk konsumojnë alkool”, thotë 28 vjeçarja Tessa Weber nga Teksasi. Ajo hoqi dorë nga alkooli në janar, sepse alkooli po ia shtonte ankthin. Ajo është e kënaqur me rezultatin e vendimit të saj, bën gjumë më të mirë dhe ka më shumë energji.
“Është mirë të vlerësoni pasojat e pirjes së alkoolit“, thotë zonja Weber.
KONSUMIMI I MODERUAR I ALKOOLIT NUK KA PËRFITIME SHËNDETËSORE?
Kjo ide erdhi nga studimet e mangëta, që krahasonin grupe njerëzish sipas sasisë së alkoolit që ato konsumonin. Zakonisht, konsumi matej në një periudhë të caktuar. Asnjë nga studimet nuk bëri zgjedhje të planifikuar mirë të pjesëmarrësve që konsumonin alkool dhe atyre që nuk e bënin këtë, kështu që ata nuk mund të vërtetonin lidhjen mes shkakut dhe efektit të pirjes së alkoolit.
Njerëzit që thonë se pinë në mënyrë të moderuar alkool kanë përgjithësisht nivel më të lartë arsimimi, të ardhura më të larta dhe qasje më të mirë në kujdesin shëndetësor, thotë Dr. Naimi.
“Rezulton se kur merren parasysh këta faktorë, përfitimet e konsumimit të alkoolit fillojnë të zhduken”, thotë ai.
Një problem tjetër është se shumica e studimeve nuk përfshinin të rinjtë. Pothuajse gjysma e njerëzve që vdesin nga shkaqe të lidhura me alkoolin vdesin para moshës 50 vjeçare.
Studime të tjera sfidojnë idenë se alkooli ka përfitime. Këto studime krahasojnë njerëzit me një variant të gjenit që e bën të pakëndshëm pirjen e alkoolit dhe atyre që nuk e kanë këtë variant të gjenit. Njerëzit me këtë variant të gjenit priren të konsumojnë shumë pak ose aspak alkool. Një nga këto studime zbuloi se njerëzit me variantin e gjenit që e bënë të pakëndshëm pirjen e alkoolit kanë një rrezik më të ulët të prekjes nga sëmundjet e zemrës, një goditje tjetër për idenë se alkooli i mbron njerëzit nga problemet e zemrës.
SA PIJE ALKOOLIKE DUHET TË KOINSUMONI NË DITË?
Kjo varet nga gjendja e individit.
Pirja rrit rrezikun e disa llojeve të kancerit, përfshirë kancerin e zorrës së trashë, atë të mëlçisë, kancerin e gjirit, gojës dhe fytit. Alkooli shkatërron substancën e quajtur acetaldehid, e cila mund të dëmtojë qelizat e trupit dhe të frenojë riparimin e tyre. Kjo krijon kushtet për përhapjen e kancerit.
Mijëra vdekje në vit në Shtetet e Bashkuara do të mund të parandaloheshin nëse njerëzit ndjekin udhëzimet e qeverisë për dietën, të cilat këshillojnë burrat të kufizojnë konsumin e alkoolit në dy, ose më pak pije në ditë dhe gratë në një, ose më pak pije në ditë, thotë Dr. Naimi.
“Mesazhi i thjeshtë, që mbështetet më së miri nga provat është se, nëse konsumoni alkool, më pak është më mirë kur bëhet fjalë për shëndetin”, thotë ai. /VOA