Floriani është një fans i madh i Granit Xhakës. Por, një selfie që i riu bëri në nëntor në ndeshjen e Zvicrës kundër Kosovës, tani po bëhet shumë e shtrenjtë për babain e tij.
Driton Sedaj nga Bieli, ishte në stadium me djemtë e tij, Luan dhe Florianin, transmeton Gazeta Express.
Kur gjyqtari e mbylli ndeshjen, Floriani kaloi rojet e sigurisë dhe shkoi te Xhaka. Qëllimi i tij ishte të merrte fanellën e mesfushorit, por ai të paktën e bëri një selfie me të, shkruan “Blick”.
10-vjeçari pastaj u largua nga forcat e sigurisë.
Dritoni bëri të ditur se të premten pranoi përmes postës një gjobë nga Federata e Futbollit e Zvicrës (SFV), prej 2597.15 frangash.
“Unë u trondita. Nuk ka pasur asnjë kërcënim, askush nuk është shqetësuar. Një djalë dhjetëvjeçar nuk është rrezik. SFV ka para të mjaftueshme. Nuk mendoj se 2500 franga është e drejtë apo sportive. Po, Floriani është i shpejtë, por definitivisht jo më i shpejtë se stjuardët. Duhet të ishin më të kujdesshëm”, tha ai.
“2500 franga për një selfie me Xhakën është padyshim shumë e shtrenjtë për mua. Pavarësisht nëse është Xhaka apo Ronaldo, asnjë fëmijë nuk i meriton këto gjoba. Çështja duhet të jetë një mësim për të gjithë prindërit. Kini kujdes fëmijët tuaj! 200 franga do të ishin të përshtatshme. Ky do të ishte një kompromis i mirë”, deklaroi Dritoni.
Në anën tjetër, nga Federata zvicerane u tha se kjo gjobë kaloi përmes tyre nga UEFA.
Zëdhënësi nga SFV, Adrian Arnold, për “Blick” tha: “Gjoba na erdhi dhe ne ia kalojmë autorit ose prindërve të tij. Në Pitch Invasion ne kalojmë gjobat në çdo rast. Në përgjithësi, sa herë që mund të identifikojmë autorët. Duhet pasur parasysh se SFV nuk paguan disa mijëra franga nëse dëmi shkaktohet nga individë”.