Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadoren Muriel Peneveyre, Ndihmës Sekretare e Shtetit dhe Shefen e Divizionit për Evropë dhe Azi në Departamentin Federal të Zvicrës për Punë të Jashtme.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ndihmës Sekretaren e Shtetit dhe Shefen e Divizionit për Evropë dhe Azi në Departamentin Federal për Punë të Jashtme në Konfederatën Zvicerane, ambasadoren Muriel Peneveyre.”
Presidenca njofton se në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit, anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe organizata tjera ndërkombëtare, si dhe për marrëdhëniet Kosovë- Zvicër.
“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata tjera ndërkombëtare, si dhe për marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin Kosovë-Zvicër. Me këtë rast, theks i veçantë është vënë po ashtu në zhvillimin dhe progresin e Kosovës në fusha strategjike, ndërsa Ambasadorja Peneveyre vlerësoi lartë edhe angazhimin e Presidentes Osmani drejt avancimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, si dhe fuqizimit të grave dhe vajzave në përgjithësi.”
Osmani ka thënë se mërgata shqiptare është urë e fortë lidhëse mes dy shteteve.
“Presidentja Osmani potencoi në veçanti raportet e shkëlqyera në mes të dy shteteve, ndërsa shprehu rëndësinë e thellimit të mëtejme të bashkëpunimit ndërshtetëror. Në këtë frymë, Presidentja Osmani tha se mërgata shqiptare vazhdon të jetë një urë e fortë lidhëse ndërmjet dy shteteve dhe se ka potencial të jashtëzakonshëm për forcimin e mëtejmë të partneritetit bilateral.”
Presidentja ka shprehur mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të Zvicrës ndaj Kosovës dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes për anëtarësimin në KiE.
“Në takim, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit zviceran ndaj Republikës së Kosovës, përfshirë edhe përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së Zvicrës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke vënë theksin në impaktin e drejtpërdrejt që ky anëtarësim do të kishte në fuqizimin e të drejtave të njeriut, forcimin e demokracisë, si dhe sundimin e ligjit.