Shefi i Zyrës së BE-së: Presim që Kosova dhe Serbia ta zbatojnë marrëveshjen dhe aneksin pa parakushte dhe vonesa

E publikuar: 26/04/2024 23:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë kalon kah dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve.

Ai tha se pret që palët të zbatgojnë marrëveshjen dhe aneksin pa parakushte dhe vonesa.

“BE pret që Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen për Rrugën e Normalizimit dhe Aneksin e Zbatimit të saj pa asnjë vonesë apo parakusht.”

Tutje përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, deklaroi se janë të gatshëm që të ndihmojnë Kosovën që të afrohet me BE-në.

“E ritheksova se e ardhmja e Kosovës është padyshim në Bashkimin tonë dhe shtova se ne jemi të gatshëm të vazhdojmë ta ndihmojmë Kosovën të afrohet me BE-në dhe të shfrytëzojë mundësitë që ofron procesi i zgjerimit të BE-së.” – ka shkruar ai në platformën ‘X’.

Sipas tij, duke qenë se zgjerimi është i bazuar në merita, tha se ritmi i reformave duhet të përshpejtohet.

“Kosova duhet të bëjë progres të prekshëm dhe të pakthyeshëm, duke filluar nga bazat, përkatësisht sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, ekonomia dhe funksionimi i institucioneve demokratike. BE pret që Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen për Rrugën e Normalizimit dhe Aneksin e Zbatimit të saj pa asnjë vonesë apo parakusht.” – tha shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.